7.6 C
New York
Thursday, November 27, 2025

Buy now

Të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

- Advertisement -

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka:

 

–  Miratuar Udhëzimin Administrativ për Mënyrën e Emërimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit. Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohet procedura e aplikimit për emërim për trupat e vlerësimit të konformitetit, kërkesat e përgjithshme të cilat duhet të plotësohen për dhënie të emërimit, zgjerimit të fushës së emërimit, pezullimi i emërimit dhe tërheqjen e emërimit të trupave për vlerësim të konformitetit.

 

–   Miratuar Udhëzimin Administrativ për Metodologjinë e Monitorimit, Raportimit të Emetimeve të Gazeve Serrë dhe Informacione të tjera në lidhje me ndryshimet klimatike në nivel kombëtar. Ky Projekt-udhëzim Administrativ ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për monitorimin dhe raportimin e të gjitha emetimeve antropogjene sipas burimit dhe përthithjes së gazeve serrë, rishikimi dhe verifikimi i emetimeve të gazeve serrë. Objektiv kryesor i këtij akti është krijimi i bazës ligjore për transpozimin e legjislacionit të BE për ndryshime klimatike, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e njeriut.

 

–  Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik i pronave të  paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit, për prodhimin e energjisë elektrike për nevoja të Korporatës Energjetike Kosovës.

 

–  Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore që administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për nevoja të Institucioneve të Republikës së Kosovës, Zona Kadastrale Beroc II, Komuna Shtërpcë.

 

–   Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i Qendrës për Sport dhe Kulturë Komunën e Ferizajt. Ky vendim i hap rrugë materializimit të një projekti që qytetarët e Ferizajt e kanë pritur gjatë.

 

–   Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Rehabilitimi, Zgjerimi dhe Asfaltimi i Rrugës Nacionale R118, Segmenti brenda fshatit Mushtisht. Ky vendim është një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe lidhjes së Komunës së Suharekës me atë të Shtërpcës, duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, lëvizshmërinë dhe rritjen ekonomike.

 

–   Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i Rrugës Korishë – Kabash Lidhja me Rrugën Rajonale R – 118.

 

–   Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të menaxhuara dhe të administruara nga AKP-ja, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve në Komunën e Gjakovës. Këto investime rrisin cilësinë e jetës dhe fuqizojnë infrastrukturën sportive e administrative të komunës.

 

–   Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore për nevoja të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Ky vendim i hap rrugë zgjerimit të kapaciteteve të AShNA-s, duke forcuar prezencën e saj institucionale në Republikën tonë dhe garanton siguri e efikasitet më të lartë në navigacionin ajror.

 

–  Ndarë 23,472 euro për mbështetjen financiare për FCF Prishtina 01 – Futsall për organizimin e Uefa Champions League, me datën 24 nëntor 2025 në Prishtinë dhe me datën 5 dhjetor 2025 në Riga të Letonisë. Aktiviteti pritet të përfshijë një numër të madh të të interesuarve dhe të kontribuojë në imazhin e vendit tonë.

 

–   Ndarë 25,925 euro për pjesëmarrjen e Ekipit të Kosovës në NEO Science Olympiad, përkatësisht pjesëmarrjen e 15 nxënësve në Olimpiadën e Shkencës dhe Kodimit NEO, të planifikuara të mbahen në Orlando të ShBA-së, nga data 10 janar, deri më datë 15 janar 2026. Programi përfshinë ceremoninë e hapjes, provimet në Matematikë, Shkenca Natyrore, Fizikë, Kimi, Biologji, Kodim, Robotikë, së bashku me seancën akademike.

 

–  Ndarë 850,000 euro për mbulimin e mungesës së mjeteve në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa” për nëntor 2025, për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

 

– Miratuar shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore KBI Ereniku, për Ndërtimin e Zonës Industriale të Mbrojtjes, në Jahoc,  Komuna e Gjakovës. Me miratimin e këtij vendimi, ne po i hapim rrugë ndërtimit të fabrikës së municionit që do t’i shërbejë ushtrisë sonë, duke forcuar sigurinë, zhvillimin dhe paqen në vendin tonë.

 

–  Miratuar në parim nismën për “Amendamentit Nr. 5 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2014”. Qëllimi i amendamentit të kësaj marrëveshje është që të mundësohet shtyrja e afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje edhe për 2 vite shtesë, për shkak të vonesave në zbatimin e kontratave të lidhura të bazuar në këtë marrëveshje. Konkretisht, bëhet fjalë për ndërtimin e objektit të Komunës së Gjakovës.

 

–  Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje:

 

o   Ndarja e 875 mijë euro për mbulimin e obligimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përfshirë edhe ato të misioneve diplomatike;

 

o   Ndarja për Radio Televizion e Kosovës në vlerë prej 4.48 milionë euro si zgjidhje e përkohshme si një improvizim i detyruar për shkak të mosfunksionalizimit të Kuvendit nga Legjislatura e IX-të, i cili nuk arriti ta miratoj raportin e rregullt financiar për RTK, për këtë arsye mjetet duhet siguruar përmes procesit të kursimit dhe të ndarjeve.

 

– Ndarë 300 mijë euro, në kuadër të Programit për promovimin e vendit, për organizmin e pjesëmarrjes së Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror “Davos” me “House of Kosova”. Vitin e kaluar, pjesëmarrja jonë e parë me Kosova House në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit u prit jashtëzakonisht mirë dhe shërbeu si një platformë e rëndësishme për promovimin e Kosovës, krijimin e lidhjeve të reja ekonomike e politike, prezantimin e potencialit tonë dhe rrjetëzimin e diasporës sonë në Zvicër. Edicioni i dytë në vitin 2026 synon të sigurojë vazhdimësi dhe një prezantim të qëndrueshëm të Kosovës në këtë forum ndërkombëtar.

 

–  Ndarë 250 mijë euro për përfaqësuesen e Kosovës në futboll si shpërblim për rezultatin e arritur deri më tani, përkatësisht për arritjen në fazën Play Off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në këtë mbledhje qeveria u zotua gjithashtu për shpërblim në vlerë prej 500 mijë në rast të fitores ndaj Sllovakisë, dhe 1 milion euro tjera shpërblim në rast të kualifikimit në Kampionatin Botëror.

Të ngjashme

Të fundit