10.5 C
New York
Thursday, March 13, 2025

Buy now

Të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

- Advertisement -

 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka:

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Kornizë për bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Departamenti i Mbrojtjes. Me këtë marrëveshje Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëria strategjike, si dhe ngritja e kapaciteteve strategjike ushtarake.

 

  1. Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor me këtë përbërje:

 

    1. Dr. Naim Bardiqi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Kryesues;
    2. Dr. Ardita Baraku, Drejtore Ekzekutive në IKShPKS, anëtare;
    3. z. Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;
    4. z. Haki Smajli, Udhëheqës i Divizionit të Burimeve Njerëzore në MSh, anëtar;
    5. z. Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

 

 

  1. Miratuar Rregulloren për organizim të Brendshëm dhe Funksionimin e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në Zyrën e Kryeministrit.

 

  1. Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale me këtë përbërje:

 

    1. Venera Çerkini, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Kryesuese;
    2. Fahrije Tërnava, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtare;
    3. Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;
    4. Haki Smajli, zv. Udhëheqës i Divizioinit të Burimeve Njerëzore në Ministri të Shëndetësisë, anëtar;
    5. z. Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

 

  1. Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i Projektit: “Programi për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta II-IV ”. Shpronësimi i pronave të evidentuara për këtë projekt janë të rëndësishme meqenëse, projekti përfshin mbylljen e deponisë aktuale dhe realizimin e deponisë sanitare të re në Pejë, në zonën kadastrale Lutogllavë.

 

  1. Miratuar Strategjinë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar 2025-2030 dhe Plani i Veprimit 2025-2027 . Përmes kësaj Strategjie parashihet arritja e këtyre objektiva strategjike:

 

    1. Përmirësimi i cilësisë në shërbime sociale për persona me aftësi të kufizuar;
    2. Avancimi i sistemit gjithëpërfshirës në arsimim dhe ngritjen profesionale të personave me aftësi të kufizuar; si dhe
    3. Përmirësimi i qasjes për persona me aftësi të kufizuar.

 

  1. Miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndryshimin e Shtojcës I për të dhënat për ndarjen e Granteve të Përgjithshme, me qëllim të reflektimit të të dhënave të reja nga regjistrimi i popullsisë, të publikuara zyrtarisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024.

 

  1. Aprovuar projektet kapitale në disa komuna, si projekte shumëvjeçare, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

 

  1. Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja, për nevoja të realizimit të projekteve “Varrezat e Fshatit” dhe “Fusha Sportive në Dobërçan”. Me miratimin  e këtij  vendimi konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe Fusha Sportive në Dobërçan të Gjilanit.

 

  1. Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e disa projekteve të Komunës së Hanit të Elezit. Me këtë Vendim konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik për realizimin e disa projekteve në Han të Elezit, si:

 

    1. Rindërtimi i fushës së futbollit;
    2. Rregullimi i pronësisë për fabrikën e ujit;
    3. Ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini; dhe
    4. Zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor.

 

  1. Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore, për nevoja të realizimit të projektit “Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe Infrastrukturë rrugore” në Gjilan.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të Informacionit të Klasifikuar. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) ka ndërmarre veprimet e nevojshme në funksion të vendosjes së kontakteve me NSA (Nacional Security Authority) nga shteti i Sllovenisë – ku për rrjedhojë arrihet harmonizimi i vullnetit dhe gatishmëria nga të dyja palët, për të avancuar tutje arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë. Arritja e marrëveshjes për siguri në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte:

 

    1. Forcimi i Bashkëpunimit Dypalësh;
    2. Sigurimi i Informacioneve të Klasifikuara;
    3. Përmirësimi i Kapaciteteve Institucionale; dhe
    4. Mbështetja për Integrim Euroatlantik.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e Granat-kontratës të Asistencës Teknike me Nr. 2024/453-962 në kuadër të Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri – Kosovë nën IPA II (2021 – 2027)”. Qëllimi  i kësaj marrëveshjeje është organizimi i një partneriteti dhe përcaktimi i përgjegjësive të partnereve për zbatimin e pjesës përkatëse të projektit.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare, përkatësisht Marrëveshjes së Partneritetit për Zbatimin e Prioritetit të Asistencës Teknike në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III Mali i Zi – Kosovë (2021 – 2027).

 

  1. Miratuar Koncept dokumentin për Bujqësi Organike. Sektori i Bujqësisë Organike ka një rëndësi të veçantë për fermerët prodhues të kulturave bujqësore. Ky sektor kontribuon në zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, duke pasur parasysh nevojën për të plotësuar kërkesat e popullatës për ushqim cilësor.

 

  1. Miratuar Koncept dokumentin për Shëndetin e Bimëve. Opsioni i rekomanduar në këtë koncept-dokument është hartimi i kornizës së re legjislative. Me kornizën e re ligjore është propozuar të rregullohen aspektet kyçe që ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë bimore, sigurimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve bimore, dhe mbrojtjen e mjedisit.

 

  1. Rialokuar 400 mijë euro me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme. Ky projekt është në kuadër të objektivave të Planit Zhvillimor Kombëtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

  1. Aprovuar Rregulloren për kushtet e bartjes së pronësisë së pronës publike dhe dhënia me qira e sendeve në pronësi publike. Gjatë mandatit tonë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për herë të parë, ka miratuar një ligj të tillë, me të cilin rregullohet prona publike, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë me pronën publike.

 

  1. Aprovuar Rregulloren për mënyrën e mbajtjes së evidencës së sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme dhe e regjistrimit të sendeve në pronësi publike.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

 

  1. Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

 

  1. Ndarë 1,308,320  euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mjetet ndahen sipas kërkesave të pranuara nga ministritë e linjës për projektet që kanë në menaxhim dhe zbatim.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit