10.9 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Të gjitha vendimet që i mori Qeveria sot

- Advertisement -

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje të rregullt në të cilën:


U bë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022. Sipas ndryshimeve të Programin Legjislativ shtohen Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për provimin e maturës shtetërore, ndërkaq ndryshohet afati i miratimit nga Qeveria për Projektligjin për shërbimin e jashtëm; Projektligjin për protokollin e shtetit; dhe Projektligjin për Diasporën.

U miratuan tri projektligje:

–  Projektligji për Ekspertët Gjyqësorë i cili përcakton kushtet dhe procedurat e licencimit të eksperteve, subjekteve që kryejnë ekspertizën, të drejtat dhe detyrimet e tyre, përfshirjen dhe shlyerjen e subjekteve që kryejnë ekspertizën në regjistër dhe mënyrat e angazhimit të tyre.

–  Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit i cili ka për qëllim harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe ta bëjë edhe më të zbatueshëm Ligjin për mbrojtje të konsumatorit.

– Projektligjit për Zhvillim Rajonal të Balancuar i cili është në përputhje me legjislacionin evropian dhe përcakton parimet themelore të menaxhimit të zhvillimit rajonal. Projektligji përcakton edhe orientimet, përgjegjësitë e institucioneve, institucionet financiare dhe rregullat për zhvillimin e balancuar rajonal në Republikën e Kosovës.

U themelua Këshilli Organizativ për shënimin e Njëqindedhjetë Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë përbërje:

1.         Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues;

2.         Koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndër Qeveritar; zëvendës kryesues;

3.         Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare;

4.         Përfaqësues, Zyra e Kryeministrit, anëtar;

5.         Ministri i Mbrojtjes, anëtar;

6.         Ministri i Punëve të Brendshme, anëtar dhe

7.         Ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal; anëtar.

Sipas vendimit të miratuar, ftohen që të dërgojnë nga një përfaqësues edhe:

8.         Përfaqësues, Zyra e Presidentes, anëtar;

9.         Përfaqësues, Kuvendi i Republikës së Kosovës, anëtar;

10.       Përfaqësues, Protokolli i Shtetit, anëtar; dhe

11.       Përfaqësues, Sekretariatit Koordinues Ndër Qeveritar, anëtar.

Iu vazhdua mandati për pesë vjet z. Martin Halilaj, hetues i Aksidenteve Hekurudhore në kuadër të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike nën mbikëqyrjen e  Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike

U bë ndryshimi dhe plotësim i Vendimit të Qeverisë Nr.02/85.

U ndan mjete buxhetore në shumën prej katër milionë e dyqind mijë e njëqind (4,200,100.00) euro për blerjen e barnave nga lista esenciale sipas kërkesës së Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

U bë ndryshim dhe plotësimi i Vendimit Nr. 31/99 të datës 30 shtator 2022 për Masat shtesë të Pakos për Ringjalljen Ekonomike për Përballje me Inflacion.

U ndanë mjeteve buxhetore në shumën prej nëntëdhjetë e dy mijë (92,000.00) euro për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, i cili u zhvillua gjatë kësaj jave në vendin tonë. Ky Samit i kontribuon promovimit të shtetit tonë dhe krijimi të një platforme për shkëmbim të përvojave të akterëve të politikës, ekonomisë dhe tregtisë.

U miratua Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar në Republikën e Kosovës për vitet 2022-2028, e cila synon rregullimin dhe financimin e menagjimit të mekanizmave  për kontroll të qenve me dhe pa pronar në vendin tonë. Strategjia përcakton edhe koordinimin e institucioneve të nivelit qendror dhe lokal përgjegjëse për zbatim të saj.

Gjithashtu, u miratua edhe Plani i Veprimit 2022-2023 për zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023. Plani liston objektivat, aktivitetet dhe financimi i tyre gjatë zbatimit në periudhën e caktuar kohore.

U aprovua kërkesa e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për transfer të mjeteve në shumën treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e njëzet e pesë (399,225.00) euro, për transfere deri në 25% të ndarjes së ndikuar negativisht, në kuadër të kategorisë së shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”

U miratuan tri koncept dokumente:

– Koncept-dokumenti për Fushën e Menaxhimit të Financave Publike që do të mundësojë përmirësimin e menaxhimit të Financave Publike dhe i cili rekomandon hartimin e një Ligjit të ri për menaxhimin e financave publike

– Koncept-dokumentit për Shoqëritë Tregtare që do të sigurojë nivel më të lartë të ofrimit të shërbimeve ndaj shoqërive tregtare dhe që rekomandon plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

– Koncept-dokumenti për Inspektimin në fushën e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit që synon vendosjen e kritereve për mbikëqyrjen e inspektimeve mjedisore, proces i cili është prioritet i Qeverisë përcaktuar edhe me Planin Strategjik Operacional 2021-2025. 

Kabineti qeveritar u informua nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal lidhur me Koncept-dokumentit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës. Grupi punues ka bërë analizimin dhe rekomandimet e duhura për rregullimin e fushës, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës ka themeluar një komision ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, e cila do të shtrihet edhe në nivelin lokal të qeverisjes. Nisur nga kjo situatë, Koncept dokumenti prezantohet në Qeveri vetëm për informatë, derisa i njëjti do të dërgohet në komisionin ad-hoc të Kuvendit me qëllim të ndihmës  së trajtimit të problemeve të identifikuara për procesin zgjedhor në nivelin lokal.

U miratua vendimi i shqyrtim të mëtejmë për shpronësimin e pronave të paluajtshme në Livadicë të Komunës së Podujevës, të cilat preken nga ndërtimi i Zonës Ekonomike Industriale në këtë komunë.

Dhe si pikë e fundit e rendit të ditës, u miratua nisma për negocim të Marrëveshjes më Republikën e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit