Nën moton “Drejtësi, jo politikë!”, Prishtina pritet të mbushet sot nga mijëra qytetarë në marshim solidarizues për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të cilët po gjykohen në Hagë, ku gjykimi ndaj tyre ka hyrë në fazën finale.
Marsi “Drejtësi, jo politikë”, i cili përkon me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës pritet të mbledhë shqiptarët nga i gjithë rajoni dhe jo vetëm.
Pjesëmarrjen në këtë marsh e kanë konfirmuar shoqata të shumta, grupe tifozësh, figura të njohura politike që e shohin këtë si një moment uniteti kombëtar.
Për shkak të marshimit masiv që do të mbahet në orën 14:00 në Sheshin “Skënderbeu”, autoritetet dhe organizatorët kanë njoftuar disa masa për mbarëvajtjen e lëvizjes në kryeqytet.
Pritet të ketë kufizime të qarkullimit për automjetet në rrugët që lidhin Sheshin “Skënderbeu” me Sheshin “Zahir Pajaziti”. Policia e Kosovës do të bëjë riorientimin e trafikut në rrugët periferike.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të gjitha linjat e Trafikut Urban do të jenë falas për qytetarët që duan t’i bashkohen marshit.
Po ashtu, nga të gjitha komunat është organizuar transporti me autobus për të marshuar për “Drejtësi, jo politikë”.
Marshi “Drejtësi, jo politikë” është organizuar nga platforma “Liria ka emër”.






