Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në orët e para të mëngjesit të gjitha fletëvotimet janë shpërndarë në kohë, dhe votimi ka nisur.
“Ju njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotime, janë shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Njoftojmë se duke u mbështetur në informmacionet e pranuara, procesi i votimit për raundin e dytë për kryetarë të 18 komunave ka nisur në të gjitha qendrat e votimit”, tha Elezi.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot. Sot procesi i votimit zhvillohet në 507 qendra të votimit, me 1628 vendvotime, pra për të cilat janë të hapura për të mundësuar votimin e rregull.Dhe 18 qendra të votimit, për të mundësuar votimin me kusht”, tha ai më tutje.
Elezi bëri të ditur se janë mbi 1 milion e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote.
“Sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote sot në këto 18 komuna është 1 milion e 316 mijë e 672 votues. Në këtë listë të votuesve përfshihen edhe 1690 të rinj, të cilët nuk kishin të drejtë vote në raundin e parë, por që kanë arritur moshën nga data 13 tetor deri më 9 nëntor”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se KQZ-ja ka organizuar edhe ekipe mobile.
“KQZ-ja do të organizojë votimin edhe përmes 61 ekipeve mobile lëvizëse për mbi 2 mijë votues me nevoja të veçanta që janë regjistruar e verifikuar paraprakisht. KQZ-ja fton qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.






