Dy shtetas kosovarë të dyshuar për trafikim droge, ndodhen që nga e marta në paraburgim në Tiranë.
Kosova dhe Shqipëria kanë marrëveshje dypalëshe ekstradimi në fuqi, por një proces i tillë për këta dy të dyshuar nuk pritet të ndodhë.
Kjo pasi, sipas Ministrisë së Drejtësisë, ekstradimi nuk ka bazë ligjore të ndodhë meqë të njëjtët nuk janë në kërkim nga organet gjyqësore të Kosovës.
“Një person i kërkuar nga organet gjyqësore të Republikës së Kosovës mund të ekstradohet nga një shtet tjetër për qëllim të zhvillimit të procedurës penale ose për ekzekutimin e dënimit në Republikën e Kosovës. Meqenëse personat në fjalë nuk janë të kërkuar nga organet gjyqësore të Republikës së Kosovës, nuk ka bazë ligjore të kërkohet ekstradimi dhe nuk pritet ekstradimi i tyre për arsyet e sipërcituara, pra sepse nuk janë të kërkuar nga organet gjyqësore të Republikës së Kosovës”, thuhet nga MD.
Një fakt tjetër që pamundëson ekstradimin, sipas avokates Fehmije Gashi Bytyqi është se vepra për të cilën shtetasit kosovarë dyshohen është kryer në Shqipëri.
Njëri prej të arrestuarve, Besnik Mujeci ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje deri dje kur kjo parti e përjashtoi nga të gjitha strukturat e saj.
Përmes linjës së autobusëve Prishtinë-Tiranë, dyshohet se u transportuan mbi 11 mijë doza ekstazi, në vlerë 400 mijë euro, e cila më pas përmes makinave më qira, depërtohej në zonat bregdetare. /Tëvë1/