Carla Bruni ka ndarë në rrjetet sociale disa fjalë të buta dhe një seri fotosh të Nicolas Sarkozy. Pak orë para festës së Shën Valentinit, ish-Zonja e Parë e Francës zbuloi ndjenjat e thella të dashurisë dhe admirimit që ka për të shoqin.
Bukuroshja francezo-italiane ka postuar disa foto të Nicolas, i cili ka veshur një bluzë të zezë dhe xhinse të ngushta, teksa hante arra në mes të një fushe. Madje, në njërën prej fotove, 69-vjeçari tregon me krenari para aparatit krahët e tij të stërvitur mirë.
“Të dua ashtu siç je”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e postimit dhe mijëra ndjekës e kanë “mbytur” çiftin e dashuruar me komplimente.
Carla Bruni dhe Nicolas Sarkozy kanë së bashku një vajzë, Julia Sarkozy. Pak muaj më parë ata festuan 16 vite së bashku. Kur lidhja e tyre filloi, disa nxituan të bënin parashikime ogurzeza, por gjithçka rezultoi ndryshe.