Mëngjesin e së dielës do të marrë jetë për herë të parë Kupa e Botës për Klube e organizuar nga FIFA.
Ndeshja hapëse do të luhet në Majami mes Inter Miami dhe Al-Ahly të Egjiptit, e cila do të startojë në orën 2 të mëngjesit sipas orës tonë lokale.
Nga njëra anë, Inter Miami vjen me yje si Messi, Luis Suarez, Busquets dhe Jordi Alba – një rikthim i “kolonisë” së vjetër të Barcelonës. Nga ana tjetër, Al-Ahly, kampionët e shumëfishtë afrikanë, kërkojnë të bëjnë surprizën e parë të turneut, pasi fituan titullin në Egjipt përpara Pyramids FC.
Turneu do të zgjasë një muaj dhe për herë të parë do të përfshijë 32 skuadra nga e gjithë bota, duke ndjekur modelin e Kupës së Botës për Kombëtare.
Në të marrin pjesë 12 ekipe evropiane, 6 nga Amerika e Jugut, 5 nga Amerika Veriore dhe Qendrore, 4 nga Azia, 4 nga Afrika, 1 nga Oqeania.
Ky është një turne i pasur, me një investim që prek shifrën prej 1 miliard dollarësh, ku fituesi mund të përfitojë deri në 125 milionë dollarë.
Skuadrat evropiane konsiderohen favoritët kryesorë, veçanërisht Manchester City, Real Madrid, PSG dhe Bayern Munich. Edhe Juventusi dhe Interi janë pjesëmarrëse, por nuk shihen si ndër favoritët për trofeun, me Interin që vjen pas disfatës së rëndë pas humbjes në finalen e Champions League ndaj PSG dhe me një trajner të ri si Christian Chivu, ndërsa edhe Juventusi është një skuadër në ndërtim e sipër.
Ndërkohë për t’u theksuar është edhe klima e nxehtë në ShBA dhe gjendja fizike e ekipeve mund të ndikojnë në ecurinë e tyre. Një provë gjenerale kjo padyshim edhe mbi atë se çfarë pritet të ndodh 1 vit më pas, ku ShBA, së bashku me Meksikën e Kanadanë do të mirëpresin Kupën e Botës.
Në fund, kjo garë pritet të kthehet në një mini-Ligë të Kampionëve, me shumë yje dhe përballje të nivelit të lartë. Një turne që në të ardhmen pritet të ketë padyshim një rëndësi tepër të veçantë ndërsa për momentin duhet thjesht të shijojmë zhvillimin e tij për herë të parë.
Gara do të nisë më 15 qershor (sipas kohës sonë lokale), me finalen që është caktuar të zhvillohet më 13 korrik.
Faza e grupeve: 15 deri më 27 qershor
Rrethi 1/16: 29 qershor deri më 2 korrik
Çerekfinalet: 4 dhe 5 korrik
Gjysmëfinalet: 8 dhe 9 korrik
Finalja: 13 korrik