Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi raportin e ri mbi tregun e punës sipas komunave, bazuar në të dhënat e Regjistrimit të vitit 2024.
Shkalla e papunësisë në vend rezulton 13,9 për qind.
Raporti ofron një panoramë të detajuar të tregut të punës, duke analizuar popullsinë sipas gjinisë, moshës, arsimit dhe aktivitetit ekonomik.
Sipas të dhënave, rreth dy të tretat e popullsisë janë në moshë pune, ndërsa mbi gjysma mbeten ekonomikisht joaktive.
Nga 1 milion e 63 mijë persona në moshë pune, vetëm 514 mijë janë aktivë, ndërsa 548 mijë nuk marrin pjesë në treg.
Numri i të punësuarve arrin në 443 mijë, ndërsa mbi 71 mijë persona janë të papunë.
Një nga problemet kryesore mbetet shkalla e lartë e jo-aktivitetit, e cila qëndron në 51,6 për qind.
Tek femrat, kjo shifër është dukshëm më e lartë, duke arritur 65,4 për qind, krahasuar me 37,8 për qind tek meshkujt.
Sektorët që dominojnë punësimin përfshijnë tregtinë, prodhimin dhe ndërtimtarinë, të ndjekura nga arsimi dhe administrata publike.
Femrat janë më të përqendruara në tregti, arsim dhe shëndetësi, ndërsa meshkujt dominojnë në ndërtim, prodhim dhe shërbime.






