Brenda këtij muaji qeveria federale pritet të arrijë kuotën maksimale prej 31,4 trilionë dollarë të borxhit që i lejohet të marrë. Që të arrijë të funksionojë, qeveria ka nevojë që Kongresi të miratojë një ligj për ngritjen e tavanit të borxhit.
Kjo pritet të shkaktojë përplasjeje mes Presidentit demokrat Joe Biden dhe Dhomës së Përfaqësuesve, të drejtuar nga republikanët. Ngritja e tavanit të borxhit do të jetë prova e parë e funksionimit të qeverisjes tashmë të ndarë në Uashington.
Kufiri maksimal i borxhit pritet të arrihet në javët në vazhdim. Pa miratimin e ligjit nga Kongresi Departamenti i Thesarit mund të verë në zbatim përkohësisht disa masa të jashtëzakonshme që qeveria të respektojë detyrimet e saj financiare. Por kur këto masa të skadojnë qeveria mund të përballet për herë të parë në histori me pamundësinë për të paguar detyrimet e saj financiare.
Përballja e pritshme mbi kufirin e borxhit do të përbënte sfidën e parë për zotin Biden dhe demokratët, të cilët para zgjedhjeve të nëntorit gëzonin kontrollin e plotë të pushtetit në Uashington. Po kështu kjo çështje do të shërbente si një tregues edhe për sfidat e tjera që i presin demokratët, për të arritur qoftë dhe ambiciet e tyre më modeste legjislative në një Kongres tashmë të ndarë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do të lejojë që borxhi të kthehet në peng të ligjvënësve republikanë. Por lëshimet që bëri kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve për të siguruar këtë post, vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të arritur një marrëveshje, në rast se dy palët nuk do bien dakord.
Zoti McCarthy arriti të siguronte këtë detyrë pas 15 raundesh votimi e falë lëshimesh të mëdha që u bëri ligjvënësve republikanë të linjës së ashpër. Këta të fundit kanë deklaruar se do të bien dakord të rrisin tavanin e boxhit publik, vetëm nëse do të ketë shkurtim të shpenzimeve qeveritare, por pa përcaktuar se për sa bëhet fjalë.
Pjesë e lëshimeve që iu desh të bënte zoti McCarthy ishte edhe një rregull i ri, që i mundëson qoftë edhe një ligjvënës të vetëm të nisë procedurat për shkarkimin e tij nga detyra, çka mund ta komplikonte edhe më tej situatën.
Zoti McCarthy tha se kishte biseduar me presidentin Biden për tavanin e ri të borxhur dhe se i kishte thënë atij se “nuk duhet arritur deri në atë pikë”, duke nënkuptuar mbylljen e qeverisë.
“Është momenti për të ndryshuar sjellje”, tha zoti McCarthy të martën në televizionin Fox News.
Megjithatë kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve foli shumë shkurt mbi mundësinë që republikanët të refuzojnë miratimin e ligjit vjetor të nevojshëm për financimin e qeverisë, sikurse ndodhi një dekadë më parë.
Rreziqet janë të paparashikueshme. Mospagimi i borxheve mund ta çojë vendin në një ulje të thellë ekonomike, teksa Shtetet e Bashkuara dhe mbarë bota përballen me nivel të lartë të inflacionit për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Kongresi do të duhet të rrisë kufirin e borxhit pa kushte, është kaq e thjeshtë”, tha së fundmi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre. “Përpjekjet për të ushtruar trysni nuk do të funksionojnë. Nuk do të ketë pengmarrje”, shtoi ajo.
Ligjvënësi republikan i Teksasit Chip Roy, një mbështetës i zotit McCarthy dhe kritik ndaj shpenzimeve qeveritare nuk përjashtoi mundësinë e një kërkesë për shkarkimin e zotit McCarthy nëse ai dështonte të mbante premtimin për të kërkuar shkurtim të shpenzimeve dhe uljen e tavanit të borxhit.
“Do të përdorim mjetet që na ofron Dhoma e Përfaqësuesve për të forcuar termat e marrëveshjes që u bë”, tha zoti Roy për CNN të dielën.
Ligjvënësi Bob Good tha në Fox News të hënën se kufiri i borxhit do të jetë testi i vertetë për republikanët.
Çdo përpjekje për të bërë kompromis me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve mund ta detyrojë Presidentin Biden të rishikojë përparësitë e tij, që nga fondi i të ardhurave të brendshme deri tek paketat në mbështetje të fëmijëve apo të varfërve. /VOA/