8.9 C
New York
Wednesday, November 5, 2025

Buy now

Tash e pesë vjet në betejë për të vërtetën!

- Advertisement -

Shkruan: Ardian Bajraktari

Proceset e stërzgjatura gjyqësore apriori janë të padrejta, ngase shkelin parimin e gjykimit “brenda një afati të arsyeshëm”, të garantuar me paragrafin 2, të nenit 31, (E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe paragrafin 1, të nenit 6, (E drejta për proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

E kur krahas cenimit të këtij parimi, procesi karakterizohet me mungesë transparence, përmes të cilit cenohet parimi i publicitetit të procedurës, e mbi të gjitha me prova të pranuara nga një regjim gjenocidal, procesi gjyqësor bëhet shumë i padrejtë dhe me shkelje të shumta. I tillë është procesi gjyqësor ndaj ish drejtuesve të UÇK-së.

Procesi gjyqësor në Hagë se është i stërzgjatur nuk ka dilemë, madje referuar edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ku përcaktohet se arsyeshmëria e kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore vlerësohet duke u bazuar në këto kritere kryesore: (i) ndërlikueshmëria e rastit; (ii) sjellja e palës; (iii) sjellja e autoriteteve; dhe (iv) rëndësia e asaj se çfarë është në rrezik për palën në kontestin gjyqësor.

E kur jemi tek këto kritere, sjellja e palëve (ish krerëve të UÇK-së), ka qenë korrekte, ndërsa sjellja e autoriteteve, veçmas e prokurorisë i ka kontribuar stërzgjatjes së procesit, duke hyrë në këtë proces pa qenë e përgatitur, çka ka rezultuar që me vite (nga nëntori i vitit 2020 deri në prill të vitit 2023) të mbahen kryesit të të ashtu quajtura seanca statusore, kur kryesisht flitet për ecurinë e çështjes, e tek në fillim të prillit të vitit 2023 ka filluar procesi gjyqësor.

Stërzgjatjes së procesit i ka kontribuar tej masë qasja tejet destruktive e prokurorisë, e ku sikurse kemi qenë dëshmitarë, në jo pak raste ka dorëzuar shkresa krejtësisht në momente të fundit.

Megjithatë, tezat e prokurorisë veçmas sa i përket të ashtuquajturës Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (me aq sa kemi parë) nuk është arritur të argumentohen. Kundër argumentimin e këtyre tezave suksesshëm i kanë kontribuar dëshmitë dhe dëshmitarët e mbrojtjes.

Proces i stërzgjatur dhe sfidues, por të rralla janë personalitetet që kanë fatin që në etapa të ndryshme t’i kontribuojnë të njëjtës kauzë, çlirimit të vendit përmes një lufte të pastër e çlirimtare.

E kësaj kauze dhe ri konfirmimit të pastërtisë së luftës në mënyrë dinjitoze po i kontribuojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, duke u ballafaquar me një proces gjyqësor të stërzgjatur e me shkelje të shumta.

Megjithatë, fundin e këtij procesi e presim të jetë triumfues!

Të ngjashme

Të fundit