Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidat për president i koalicionit opozitar VLEN në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, ka ftuar publikisht Ali Ahmetin të pranojë sfidën e garës për president të Republikës.
Këtë e bëri të ditur Taravari në një status në rrjetin social Facebook.
“Propaganda e BDI-së prej kur shpalla kandidaturën për President, njëherë thotë se do të dalë Ali Ahmeti si kandidat, njëherë tërhiqet… Unë e ftoj hapur z. Ali Ahmeti të garojë me mua dhe le të zgjidhni ju se cili ju përfaqëson më mirë!”- shkruan Taravari.
Pas shpalljes së kandidaturës së Taravarit, media të afërta me BDI njëherë paralajmëruan se Bujar Osmani do t’i futet garës për president dhe pastaj vetë Ali Ahmeti.