Deputeti i ASH-së Salim Sulejmani ka njoftuar se po jep dorëheqje nga të gjitha funksionet partiake brenda Aleancës për Shqiptarët, si dhe nga pozita si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ai përmes një statusi në facebook shkroi se për të është e papranueshme afrimi me BDI-në.
“Afrimi me BDI-në në prag të zgjedhjeve lokale ka sjellë një devijim të rëndë nga parimet për të cilat ishim angazhuar. Ky bashkëpunim politik është një shkelje e premtimeve tona dhe e përfaqësimit që qytetarët shqiptarë meritojnë. Ky veprim për mua është i papranueshëm, pasi nuk mund të jem pjesë e një aleance që bëhet për arsye të interesave të ngushta politike e me njerëz të përmendur në lista të zeza ndërkombëtare për përfshirje në afera të rënda. Për këtë arsye, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet partiake dhe nga pozita ime si deputet”, tha Salim Sulejmani – deputet në dorëheqje.
Sipas listës që kishte VLEN në zgjedhjet parlamentare, në zonën e pestë zgjedhore pas Salim Sulejmanit, vjen Valbona Adili-Emini, e cila është kuadër e Lëvizjes Besa. Rrjedhimisht, Adili Emini mund të bëhet deputete, me çka VLEN-i zyrtarisht do të numëronte 10 deputetë në shumicën parlamentare.
Nga VLEN përmes një kumtesë thonë se në ditët në vijim priten zhvillime të reja politike.
“Përpjekjet e BDI-së për të shkaktuar tërmet brenda VLEN-it përmes Taravarit kanë dështuar plotësisht. Tentativa për përçarje është shndërruar në një bumerang politik për vetë autorët e saj. Kjo dëshmon se VLEN nuk është një koalicion i rastësishëm, por një projekt serioz politik me themel të fortë dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Në ditët dhe javët në vijim priten zhvillime të reja politike, që do ta forcojnë më tej rolin udhëheqës të VLEN-it në bllokun shqiptar”, thonë nga VLEN.
Pas largimit të Sulejmanit, ASH e Taravarit mbetet me 4 deputetë, numër që i pamundëson formimin e grupit parlamentarë në Kuvend.