7.3 C
New York
Thursday, November 14, 2024

Buy now

Taksa ekologjike që nuk destinohet për mjedis

- Advertisement -

Një taksë ekologjike në bazë vjetore u vihet të gjitha automjeteve që regjistrohen në Republikën e Kosovës, përfshirë ato që hyjnë përkohësisht në territorin e shtetit tonë.

Nga kjo taksë, ligji i liron vetëm traktorët bujqësor, makinat për kositje, makinat për pastrimin e borës, motoçikleta dhe disa mjete të tjera.

Megjithatë, këtu nuk përfshihen edhe makinat elektrike apo hibride.

Drejtuesit e mbi 2500 veturave të tilla në Kosovë duhet të paguajnë taksën ekologjike, njëjtë sikurse çdo drejtues tjetër.

“S’ish dashtë të jetë e njëjtë për të gjitha veturat sidomos për këto veturat elektrike që kanë hy në trend gjithandej botës. Ish dashtë vetëm automjetet me naftë edhe me benzinë edhe me bë njëfarë stimulimi për njerëzit të cilët kanë vullnet t’i largojnë automjetet me gazra serë”, tha eksperti i fushës së komunikacionit, Bekim Ahmeti.

Por ku destinohen taksat ekologjike që qytetarët paguajnë çdo vit?

“Shkojnë nëpër arka të shtetit kryesisht. Ne kemi edhe një taksë komunale që e paguajmë atje. Kryesisht nëpër këto dy burime derdhen mjetet, gjë që është në rregull nëse ne e paguajmë taksën ekologjike kur posedojmë një automjet tjetër jashtë këtij elektrik”, shtoi ai.

Pra, ky fond sipas ekologëve nuk i kthehet prapë mjedisit.

“Nuk ekziston ndonjë fond i posaçëm i cili kishte me ndikuar në rritjen e cilësisë së komponentëve mjedisor në gjithë Kosovën. Nuk ka ndonjë fond të caktuar që krijohet prej kësaj takse që e paguajnë qytetarët. Nuk i kthehet mjedisit apo mjedisit të ajrit, tokës apo shëndetit publik”, deklaroi ekologu,  Alban Sokoli.

E një rrezik tjetër sipas Sokolit është mungesa e kontrollit.

“Kontrolli është shumë i ulët sa i përket emetimit të gazrave që vijnë nga komunikacioni, sidomos këto të komunikacionit për pesha të rënda që në asnjë moment nuk kontrollohen dhe nuk kanë filtra të caktuar që emetojnë gazra. Po ashtu, shto këtu edhe automjetet të cilat janë të viteve të mëhershme dhe të cilësisë së dobët”, shtoi Sokoli.

Ligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve ka hyrë në fuqi në vitin 2012.

Me këtë ligj, çdo person që regjistron një automjet në Kosovë është i detyruar që të paguajë taksën ekologjike. Automjetet nën 3.5 ton duhet të paguajnë 10 euro, ndërsa ato mbi 3.5 ton paguajnë 30 euro.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit