Kandidati për Kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e konsideron “tejet të rëndësishme” fillimin e diskutimeve për “stagnimin ekonomik, rritjen enorme të çmimeve, pensionet dhe pagat e vogla, shëndetësinë dhe arsimin që kanë probleme të mëdha”, të cilat ai tha se “i preukupojnë qytetarët dhe shtetin tonë”.
“Është tejet e rëndësishme që më në fund po hapet mundësia që të flitet për çështjet të cilat në të vërtetë i preukupojnë qytetarët dhe shtetin tonë: stagnimin ekonomik, rritjen enorme të çmimeve, pensionet dhe pagat e vogla, shëndetësinë dhe arsimin që kanë probleme të mëdha”, tha Hamza përmes një shkrimi në Facebook.
Sipas tij, janë pikërisht temat e tilla që kanë “degraduar mirëqenien e qytetarëve” dhe se kjo situatë kërkon zgjidhje të shpejt.
“Këto tema kanë degraduar mirëqenien e qytetarëve tanë – këtyre sfidave duhet t’u japim zgjidhje sa më parë.”
Hamza a ka konsideruar “lajm shumë të mirë” që zgjedhjet e parakohshme tashmë janë bërë pjesë e diskutimeve publike.
“Prandaj, është lajm shumë i mirë që tashmë zgjedhjet e parakohshme, të cilat PDK i ka kërkuar për një kohë të gjatë, janë pjesë e diskutimeve publike – përfshirë edhe propozimet konkrete për datën e tyre.”
Në lidhje me takimin e mbrëmshëm mes kryetarit Krasniqi dhe kryeministrit Kurti, Hamza tha se pret që të shpeshtohen takimet e tilla sepse, sipas tij, ky është modeli i qeverisjes nga Partia Demokratike
“Takimi i mbrëmshëm nuk duhet të shihet si diçka e jashtëzakonshme. Përkundrazi, takime të tilla unë pres të shpeshtohen në vendin tonë në të ardhmen, në mes të gjithë spektrit politik, sepse ky ka qenë dhe do të jete modeli im i qeverisjes.
Bashkëpunimi dhe dialogu në interes të qytetarëve dhe shtetit – është mënyra se si unë e shoh funksionimin e përgjegjshëm mes akterëve politik.”