Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të përpjekjeve për një president konsensual, duke e paraqitur Partinë Demokratike të Kosovës si aktorin që po sillet me përgjegjësi shtetërore në këtë krizë politike.
Ajo shkroi në Facebook se PDK-ja e ka dëshmuar rolin e saj në momentet kyçe të shtetndërtimit. “Partia Demokratike e Kosovës është parti shtetformuese. Këtë e kemi dëshmuar në momentet më të vështira të vendit dhe këtë përgjegjësi e mbajmë edhe sot.”
Çitaku e përshkruan takimin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me kryeministrin Albin Kurti jo si tentim për pazar politik, por si përpjekje për zgjidhje reale të ngërçit institucional.
Sipas saj, PDK-ja ka hyrë në këtë proces me seriozitet, duke synuar dalje nga “cikli i pafundëm krizash politike”.
Postimi i plotë:
Partia Demokratike e Kosovës është parti shtetformuese. Këtë e kemi dëshmuar në momentet më të vështira të vendit dhe këtë përgjegjësi e mbajmë edhe sot.
Në takimin me z. Kurti, Kryetari Hamza ka shkuar jo për të bërë pazare, por për të ofruar mundësi reale për të dalë nga ky cikël i pafundëm krizash politike në të cilin jemi katandisur prej kohësh. Kemi shkuar me seriozitet, me përgjegjësi dhe me vullnet për zgjidhje.
Ne kemi qenë të gatshmën të ofrojmë kandidatura që do të garantonin siguri institucionale, balancë politike dhe, mbi të gjitha, personalitete që do të ishin garant të rendit kushtetues. Nuk kemi shkuar për të ofruar kundërkandidat formal për hir të inatit apo për konsum ditor politik.
Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se secili prej nesh. Zgjedhja e Presidentit, nuk është test force mes partive, por është moment që përcakton stabilitetin institucional, besimin qytetar dhe orientimin tonë shtetëror.
Tani është koha që shumica parlamentare të reflektojë.






