Zëvendëskryeministri i parë në detyrë i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi sot një takim bilateral në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Ky ishte takimi i parë zyrtar midis dy zyrtarëve që nga emërimi i Sørensen në këtë pozitë.
Pas takimit, z. Bislimi u prononcua për mediat, ku theksoi se bisedimet ishin të fokusuara në qasjen e re të përfaqësuesit evropian në fazat e ardhshme të dialogut, përfshirë edhe takimet në nivel të kryenegociatorëve dhe ato të nivelit të lartë nën udhëheqjen e znj. Kallas.
Në takim, pala kosovare ngriti një sërë çështjesh që kërkojnë trajtim urgjent nga ana e BE-së dhe Serbisë, përfshirë:
Mungesat në menaxhimin e integruar të kufirit nga ana e Serbisë, veçanërisht në tri pika kufitare që nuk janë funksionalizuar sipas marrëveshjeve;
Propozimin për hapjen e pikave sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë për të lehtësuar qarkullimin gjatë periudhave me fluks të madh të mërgimtarëve;
Pengesat në njohjen e certifikatave fitosanitare dhe veterinare, si dhe bllokadat ndaj produkteve kosovare;
Moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, që po shkakton humbje të mëdha ekonomike për Kosovën për shkak të mosfunksionalizimit të linjave të interkoneksionit me Serbinë;
Bllokimin e ndihmave për fermerët shqiptarë në Luginën e Preshevës, përmes ngrirjes së llogarive bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga autoritetet serbe;
Fushatat e dezinformimit të ndërmarra nga Serbia, të cilat, sipas Bislimit, synojnë manipulimin e opinionit ndërkombëtar dhe presionin ndaj komunitetit serb në Kosovë.
Zëvendëskryeministri gjithashtu bëri të ditur se një takim trilateral i planifikuar nuk është mbajtur për shkak të vonesave të delegacionit serb në Vjenë.
I pyetur për ndikimin e situatës së krijuar në Kosovë, të cilën disa diplomatë e cilësojnë si “vakum institucional”, në procesin e dialogut, Bislimi pranoi se ka vështirësi, por theksoi se Kosova nuk duhet të humbë mundësitë për përparim, pavarësisht sfidave të brendshme.