Përmes disa fotografive të publikuara, Përparim Rama njofton se e ka pritur ngrohtësisht në zyrën e tij, ministrin Hajrullah Çeku.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas kthimit nga Peja, ku e kaloi fundjavën me ekip, ka nisur javën me pritjen e mysafirëve në zyrën e tij, në komunë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, e ka vizituar sot Ramën, ndërsa takimin me të, kryetari i Prishtinës e quan “dinamik”.
“Ishte dinamik takimi që patëm me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, me të cilin shpalosëm ide për projektet që do të pasurojnë jetën kulturore e sportive në Prishtinë”, shkroi Rama në Facebook.
Ai thotë se kultura dhe sporti kërkojnë koordinim mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
“Kultura dhe sporti, si dy sfera mjaft vibrante, natyrisht se kërkojnë bashkërendim frekuencash të nivelit qendror me atë lokal për të plotësuar nevojat e qytetit”, thuhet në postimin e Ramës.
Rama mori udhëheqjen e kryeqytetit, pas një gare në dy rundet e zgjedhjeve lokale me ish-kolegun e Çekut, Arben Vitinë.
Gjatë zgjedhjeve lokale të 2021-ës, Rama ishte përballur vazhdimisht me Lëvizjen Vetëvendosje dhe akterë të Qeverisë Kurti, pjesë e së cilave është Çeku.