Presidenti amerikan Donald Trump dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët bashkëpunimi mes ShBA-së dhe Katarit.
Sipas BBC-së, gjatë fjalës së tij, Emiri e ka përshkruar takimin si “të shkëlqyer”, duke thënë se me presidentin amerikan kanë diskutuar për çështje të shumta, përfshirë situatën në rajon. Ndërsa Trump, ka thënë se takimi “ishte, disa orë shumë interesante” ku të dy, kanë diskutuar për botën.
Gjithashtu është bërë e ditur se Trump dhe Emiri i Katarit ishin të pranishëm gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje 200 miliardë dollarëshe për blerjen e avionëve Boeing, të cilën Trump e përshkroi si “porosia më e madhe e avionëve në historinë e Boeing”.
Veç kësaj, raportohet se, në fushën e mbrojtjes është firmosur një letër oferte dhe pranimi për blerjen e dronëve të avancuar MQ-9B, duke e forcuar ndjeshëm kapacitetin mbrojtës të Katarit.
Palët gjithashtu kanë rënë dakord mbi një deklaratë qëllimi për bashkëpunim në mbrojtje, duke theksuar angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale dhe partneritetin strategjik.
Marrëveshjet janë përmbyllur me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për bashkëpunim të zgjeruar, duke shënuar një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.
Kujtojmë se vizita e presidentit amerikan në Katar është ndalesa e tij e dytë në kuadër të turit që po zhvillon në Lindjen e Mesme. Pas Katarit, Trump do të vizitojë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe.