Takim i nivelit të lartë Kosovë-Serbi pritet të ndodhë shumë shpejt

- Advertisement -

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur për GazetaBlic se shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, është e gatshme të presë liderët e Kosovës dhe Serbisë për takime të Dialogut në nivel të lartë.

Sipas saj, një takim i tillë pritet të mbahet së shpejti, ndërsa çdo datë konkrete do të njoftohet në kohën e duhur.

“Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas është e gatshme të presë liderët e Kosovës dhe Serbisë për takime të Dialogut në nivel të lartë siç ka thënë Kallas, ajo është “e gatshme të presë një takim të nivelit të lartë së shpejti”. Ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm në kohën e duhur”.

Ndërkohë, siç thotë ajo procesi i dialogut vazhdon përmes takimeve të rregullta dypalëshe dhe takimeve trepalëshe të organizuara nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen në nivel të Kryenegociatorëve, si përgatitje për një takim të nivelit të lartë.

Kujtojmë se, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës do të udhëheqë dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Një ndryshim i tillë vlerësohet si “momentum i ri” nga vëzhgues politikë në Prishtinë.

Lajmi u bë i ditur nga MPJD-ja, pas një takimi të udhëheqësit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në Prishtinë

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bisilimi.

Të ngjashme

Të fundit