Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka treguar për takimin në Luksenburg me ministrat e jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.
Ajo ka thënë se është koha për veprim, sepse Kosova meriton mbështetje të qartë në rrugën rejt BE-së dhe NATO-s.
“Koha për veprim, Republika e Kosovës meriton mbështetje të qartë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s Në Luksemburg, në takimin me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, riafirmova se trajtimi i barabartë dhe përfshirja substanciale e Republikës së Kosovës në proceset integruese është jo vetëm e drejtë, por edhe e domosdoshme për një Evropë të plotë, të qëndrueshme dhe të sigurt”.
Ajo ka theksuar edhe kërkesën që të heqen masat e BE-së ndaj Kosovës.
“Theksova tre hapa që kërkojnë veprim urgjent: heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, përfundimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto janë hapa që ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe kredibilitetin e vetë BE-së në rajon”.
Gërvalla përmendi edhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, duke shprehur përkushtin e Kosovës për t’i zbatuar ato.
“Po ashtu, ritheksova përkushtimin e plotë të Kosovës ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023. Ky proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e barazisë”.
“Në dritën e kërcënimeve të vazhdueshme dhe ndikimit rus në rajon, nënvizova edhe rëndësinë e integrimit të Kosovës në NATO si garanci për paqe afatgjate dhe siguri për gjithë kontinentin. Nuk ka paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm pa drejtësi dhe pa llogaridhënie, prandaj kërkova mbështetje të qartë për hetim dhe ndëshkim të plotë për aktin e hapur të agresionit në Banjskë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, duke dëshmuar çdo ditë vullnetin e saj për reforma, forcimin e demokracisë dhe avancimin e një agjende që kontribuon në sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane. Koha për veprim është tani. Mbështetja për Kosovën është investim për paqe, siguri dhe demokraci në gjithë Evropën”, ka thënë Gërvalla.