Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar situatën lidhur me seancat e Kuvendit, të cilat sipas tij kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Tahiri thekson se VV-ja po përpiqet të imponojë një rend të ri, i cili është në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës, madje shtoi se PDK do të jetë prezent në secilën seancë për të siguruar drejtësi kushtetuese në zgjedhjen e organeve të Kuvendit.
“Nëse deri me daljen e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese gjërat kanë qenë të paqarta dhe i kemi interpretuar në forma të ndryshme, mirëpo vendimi ka qartësuar tashmë gjithçka. Seancat e mbajtura kanë qenë seanca të cilat kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutë. Ne si deputet nuk mund të rrijmë indiferent kur e shohim kryesuesin e VV-së të del nga seanca dhe vazhdon me abuzuar me ritmin e njëjtë dhe vazhdon me shkel Kushtetutën. Ne do t’i përdorim të gjitha mjetet tona demokratike që i kemi në dorë si deputetë që ta parandalojmë një gjë të tillë. Kjo parti tashmë nuk i bën përshtypje vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Këta kanë vendosur me u munduar me imponuar një rend dhe rregull të ri, pa çka se është në shpërputhje me rendin tonë kushtetues. Ne do të vijmë në secilën seancë duke munduar të japim drejtim kushtetues drejt zgjedhjes së organeve të Kuvendit të Kosovës,” tha Tahiri.