Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, në Konventën e Partisë së Lirisë në Tiranë akuzoi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe bashkëpuntorin e saj të dikurshëm, ish-presidentin Hashim Thaçi për ‘coptimin e Kosovës’.
Gjatë fjalimit, ajo e lavdëroi Metën, për të cilin tha se “është lider që i duhet Shqipërisë”.
Ndërsa më tutje Tahiri tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama “po e copëtonte Kosovën”, duke akuzuar këtu edhe bashkëpunëtorin e saj të dikurshëm, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Ilir Meta nuk pyeti për çmim, as për post. Doli në mbrojtje të Kosovës, kundërshtoi hapur ndryshimin e kufijve. Çfarë pamë ne? Pamë në një anë presidenti i Shqipërisë po e mbron Kosovën që e kemi fituar me gjak, në anën tjetër kryeministri Rama po e copëton Kosovën. Nuk ish vetëm Rama; me Vuçiq, me presidentin e Kosovës, Thaçi.. por nuk e lejuam. I mposhtëm dëmtuesit e Kosovës”, tha ajo.
Tahiri tha se Serbia “gjithmonë i ka pasur sytë te veriu i Kosovës”, pasi ajo pjesë e vendit, siç tha ish-kryenegociatorja, “është fuqia gjeopolitike e Kosovës, sepse kemi pasuri edhe minerale, edhe ujin”.
Ajo tha se në Shqipëri “ndryshimi po vjen”, ndërsa shprehu mbështetjen për programin që tha se e ka partia e Metës.