Ballina

​Tahiri – Qeverisë Kurti: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, po heshtni

By GAZETA SCANNER 1

September 14, 2023

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e kësaj partie që nuk do të marrin pjesë në asnjë votim.

Ai ka hedhur akuza e kritika për qeverisjen tri-vjeçare të Qeverisë Kurti, ku mes tjerash deklaroi se angazhimi i PDK-së mbetet që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gjatë seancës plenare, deputeti Abelard Tahiri u shpreh se produkt i kësaj qeverisje është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Dehariti, për çka tha se Lëvizja Vetëvendosje po hesht. “Produkt i qeverisjes tuaj është edhe zhdukja e mostrave të Astrit Deharit. Kjo është e pa tolerueshme se si heshtni ju dhe merrni mbështetje keqbërësit, kryerësit e kësaj vepre. Prandaj ne si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk do të ju mbështesim në asnjë rrethanë, në asnjë votim, në asnjë marrëveshje ndërkombëtare, në asnjë projektligj. Angazhimi jonë do të jetë që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt. Kjo legjislaturë të shkojë në shtëpi sa më shpejt, mandati t’i kthehet qytetarëve dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, deklaroi Tahiri.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se për tri vjet qeverisje, produkt i pushtetit kanë qenë edhe keqpërdorimet dhe korrupsioni.

“Në këto tri vite produkt i qeverisjes Kurti kanë qenë keqpërdorimet e korrupsioni galopan në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Me kontrata njëburimore që janë burim i korrupsionit e që si të tilla kontrata të nënshkruara nga zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Nagip Krasniqi, arrin vlerën hiç më pak se rreth 75 milionë euro. Kontrata këto të cilat padyshim se s’kishte si të përfundonte ndryshe veçse ky zotëri të përfundonte në Dubravë, aty ku është sot”, deklaroi Tahiri.