Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti në vend se të merret me varfërimin e qytetarëve, po sulmon sistemin e drejtësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka shkruar se sulme të tilla kanë për synim ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e qytetarëve.
“Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, kërcënimet dhe sulmet e ulëta ndaj Sindikatës së Arsimit, si dhe diskutimi se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dihet mirë që 2024-ta është vit zgjedhor, kanë vetëm një qëllim: ikjen nga përgjegjësia për varfërimin e madh që po i bëhet qytetarit dhe dobësimit të Kosovës nga kjo qeveri”, thuhet në postimin e Tahirit.
Madje sipas tij, këto sulme largojnë vëmendjen në publik për ngritjen e çmimeve, pensionet e ulëta, ikjen e rinisë, e shumë tema tjera.
“Krejt këto sulme kanë qëllim që në publik mos të flitet për ngritjen e çmimeve, çmimin e lartë të rrymës, pagat e ulëta, pensionet e ulëta, bllokimin e investimeve e kapitale, ikjen e rinisë e shumë tema tjera. Pyetjet që duhet t’i bëhen Qeverisë janë: kur do ta ulni çmimin e energjisë? kur do t’i rrisni pagat e pensionet? Kur do të përfundojnë rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Mitrovicë dhe pse e ndalët Autostradën e Dukagjinit?”, ka shkruar tutje Tahiri.