Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj deklarimeve të sotme të ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Tahiri ka thënë se Murati sot ka bërë një “mashtrim skandaloz” ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ai ka thënë se derisa Murati kërkon nga sektori privat që t’i rrisin pagat e punëtorëve, e ka në dorë që t’i rrit pagat në sektorin publik.
“Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta. Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e dy vjet e gjysmë.” – ka shkruar Tahiri.
Reagimi i plotë:
Mirëmëngjesi qytetarë të Kosovës!
Rrugës për te Kuvendi i Kosovës e dëgjova konferencën për media të kryeministrit, Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Më la shumë përshtypje një mashtrim skandaloz që e bënë me qytetarët e Kosovës, ministri Hekuran Murati.
Në këtë konferencë, ai kërkonte që sektori privat t’i rrisin pagat për punëtorët sepse u është rritur fitimi. E, është vet personi përgjegjës, që e ka në dorë, me një rishikim buxhetor, me një ndërrim të një neni, ta rris koeficientin nga 105 në 129 euro, siç kemi rekomanduar si AAK dhe me i rritë pagat në sektorin publik për 80 mijë njerëz.
Pra, e ka në dorë vendimin për t’i rritur pagat në sektorin publik, e kërkon një gjë të tillë nga sektori privat, që s’ka bërë asgjë për ta. Kjo është një qeveri, është një ministër i Financave që nuk ka bërë asgjë për sektorin privat, për biznesin, për ekonominë, veçse ua ka rënduar jetesën, e veçse u ka qëndruar mbi kokë, tash e dy vjet e gjysmë.
Paramendoni ku jemi!