18.9 C
New York
Thursday, October 9, 2025

Buy now

Tahiri prezanton planin për Mitrovicën: Trajtimi i katër lumenjve, 2500 vende parkimi e projekti i tregut të ri

- Advertisement -

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka prezantuar planprogramin e tij nëse fiton në zgjedhjet e 12 tetorit, duke theksuar se fokusi kryesor do të jetë përfundimi trajtimit të lumenjve, investimet në arsim dhe sport, si dhe zgjidhja afatgjatë e çështjes së parkingjeve publike.

Në Debat Plus, Tahiri tha se të gjitha rrugët dhe lagjet e Mitrovicës janë të përfshira në plan, duke shtuar se kanë mbetur vetëm edhe 70 kilometra për t’u asfaltuar.

“Pjesë të plan programit janë të përfshira gjitha rrugët gjitha lagjet janë të identifikuara, rreth 70 kilometra rrugë e rrugica gjithandej fshatrave dhe qytetit të Mitrovicës, janë vetëm 70 për shkak se të gjitha qeverisjet prej viti 99 deri 2025 kane investuar në infrastrukturë. Shpreh mirënjohjen personale edhe si qytetar për të gjitha ato qeverisje lokale që kanë  kontribuar në avancimin e infrastrukturës kanë mbetur veç edhe 70 kilometra rrugë e rrugica dhe i kam të planifikuara që t’i finalizojë të gjitha”, ka deklaruar ai.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e planit, sipas tij, do të jetë trajtim i plotë i katër lumenjve të qytetit – Ibri, Sitnica, Lushnja dhe Trepça.

“Trajtimi nënkupton edhe brigjet edhe shëtitoren, edhe hapësira gjelbëruese edhe këndin e lojërave e ulëseve për qytetarë si dhe tërësisht ndriçimin publik. Përveç që do ta mbrojmë qytetin prej vërshimeve në do të ndikojmë edhe në promovim e vlerave qytetit si qytet i katër lumenjve”, ka theksuar ai.

Tahiri premtoi edhe zgjidhje afatgjatë për mungesën e parkingjeve publike, duke paralajmëruar ndërtimin e tri hapësirave të mëdha me kapacitet prej 2,500 veturash.

Në fushën e arsimit, ai njoftoi se shkolla “Abdullah Shabani” dhe Shkolla e Muzikës do të ndërtohen nga e para, ndërsa gjimnazi i qytetit dhe shkolla teknike do të rinovohen plotësisht.

Në fushën e sportit, Tahiri tha se do të ndërtohen dy fusha futbolli — një për klubin Trepça dhe tjetra për klubet e tjera lokale, si dhe dy fusha tenisi. Ai paralajmëroi edhe një ndryshim të politikës së subvencionimit sportiv, duke e lidhur atë me numrin e fëmijëve të përfshirë në akademi nga mosha 5 deri në 16 vjeç.

Sa i përket çështjes së arsimit të hershëm, Tahiri premtoi se deri në vitin 2029 do të funksionojnë nëntë çerdhe publike, duke theksuar se kapacitetet do të jenë të mjaftueshme edhe për shkak të pranisë së institucioneve private.

Në fund, ai njoftoi se projekti i tregut të ri të qytetit do të nisë në vitin 2026 dhe pritet të përfundojë në vitin 2027.

Të ngjashme

Të fundit