Sipas tij, prezantimi i këtij buxheti nëpër komuna është mashtrim i ulët që u bëhet qytetarëve.
“Buxheti i vitit 2023 është miratuar në Qeveri pa asnjë konsultim paraprak me komunat dhe qytetarët. Prezantimi nëpër komuna është mashtrim i ulët që u bëhet qytetarëve”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri tha se janë tri probleme themelore në këtë çështje.
E para, sipas tij, në mungesë të rezultateve, qeveria ka nisur të prezantojë buxhetet edhe të komunave, kur, siç thotë ai, dihet se buxheti komunal është i rregulluar si financim i rregullt, llogaritur 10 për qind e buxhetit të shtetit në grantin e përgjithshëm, ai për arsim dhe shëndetësi.
Sipas tij, kjo qeveri po e cenon përditë pavarësinë e komunave me akte arbitrare, “si ai për grabitjen e të hyrave vetanake, por njëkohësisht paturpësisht po sillet si një organizatë humanitare, që këta u dhanë kaq miliona komunave, ndërkaq çdo projekt i madh investiv nga qendra është shkurtuar dhe nuk ka ndodhur asnjë konsultim për to”.
Nëse qeveria do të donte t’i ndihmonte komunat, sipas tij, nuk do ta hiqte nga agjenda legjislative miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku parashiheshin financimi i shërbimeve sociale, por edhe mjetet që po mbaheshin nëpër ministri, ku do të shpenzoheshin në zhvillim.
“Qeveri, mos bëni lojë numrash me qasjen se ky është buxheti me i madh ‘historik’ sepse është vetëm aq sa është reflektuar inflacioni, asgjë më pak e asgjë më shumë”, ka shtuar ai.