Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së , Abelard Tahiri tha se sa i përket zgjedhjeve në komunat veriore, PDK do të veproj si opozitë dhe konform përgjegjësive që i takojnë.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, Tahiri paralajmëroi debat parlamentar për gjendjen në shëndetësi të enjten.
Sipas Tahirit, ky sektor nuk e ka fokusin e qeverisë.
“Kemi kërkuar votimin e një rezolute që ka të bëjë me shëndetësinë në Kosovë. Tash e një kohë të gjatë ky sektor ka mbet pa ministër dhe shohim që nuk e ka fare fokusin e Qeverisë. Një sektor kaq i rëndësishëm të mbetet pa ministër, tash e një kohë të gjatë, fokusi i Qeverisë ka humbur fare. Kemi një situatë të rëndë dhe që po ndikon direkt në xhepin e qytetarëve të Kosovës të cilët duhet t’i blejnë medikamentet e tyre pavarësisht gjendjes në shëndetësi, të shpenzojnë nga xhepat e tyre të ardhurat e tyre pasi nuk ka barëra të listës esenciale”, tha Tahiri.
Ai shtoi se tashmë nuk po mbahen takimet as nga Komiteti që ishte krijuar nga kryeministri Albin Kurti në kohën sa ishte ministër Rifat Latifi.
“Kryeministri e pat krijuar një komitet derisa e shtynë ministrin të jep dorëheqje dhe tani nuk e ka mbajt asnjë takim”, tha Tahiri.
Abelard Tahiri tha se do të diskutohet edhe për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij po punon e minimumin e gjyqtarëve që ia mundësojnë kuorumin dhe tha se do të angazhohen për t’i zgjedhur gjyqtarët e nevojshëm në këtë gjykatë.
Ndërsa s ai përket deklarimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për rritje ekonomike, Tahiri tha se po ndodh e kundërta, ku ka rritje enorme të çmimeve.
“Do të donim të jetë e vërtetë ajo që e ka deklarua Kurti sepse do të afektonte drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por ne e kemi parë të kundërtën”, tha Tahiri.