Sot në orën 17:00 në Prishtinë do të mbahet një protestë gjithëpopullore kundër padrejtësisë në Gjyklatën Specialë në Hagë dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbështetje protestës i ka dhënë edhe deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ai në një intervistë për EO theksoi se qytetarët po kërkojnë drejtësi të bazuar në fakte dhe jo në manipulime të shërbimeve serbe.
“Ju e dini që para kësaj ka qenë edhe një marsh: marshi për demokraci, i cili ka qenë i organizuar nga ‘Liria ka emër’. Në atë periudhë kemi marrë pjesë, ka qenë dy ditë para fillimit të gjykimit. Tani jemi pothuajse në fund të gjykimit dhe OVL thërret protestë. Siç kemi dalë në atë kohë, do të jemi edhe sot për të kërkuar drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Nuk kam dyshim që numri i qytetarëve do të jetë i madh, sepse sot ajo çka kërkojnë qytetarët është drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së. Më e pakta çka mund të bëjmë është të kërkojmë drejtësi me standarde ndërkombëtare, mos të jetë me prova të manipuluara nga shërbimet serbe, sepse ajo ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha”, tha Tahiri.
Sipas tij, pjesëmarrja e madhe në protestë do të dërgojë një mesazh të qartë në mbrojtje të drejtësisë dhe lavdisë së UÇK-së, transmeton Klankosova.tv.
“Drejtësia duhet të vendoset mbi fakte e jo mbi manipulime të Serbisë. Prezenca e madhe e qytetarëve të Kosovës, të cilët kërkojnë drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së është një mesazh i qartë besoj që do të lexohet dhe të kuptohet drejt. E shoh fundin me një proces që padyshim që shpresojmë dhe besojmë që udhëheqësit e UÇK-së të jenë në Kosovë në fund të këtij procesi dhe të triumfojë lavdia e UÇK-së”, theksoi ai.
Sipas tij, mbështetja për udhëheqësit e UÇK-së ka qenë e vazhdueshme dhe e gjerë dhe lajmi për lirimin e tyre do të jetë një gëzim për të gjithë shqiptarët.
“Gjatë kësaj periudhe të gjykimit kemi qenë të pranishëm në një ambient, ku mbështetja e qytetarit të Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e madhe në vazhdimësi, e kanë mbështetur kauzën e tyre pa dallim cilës parti i takon. Lajmi për lirimin e tyre do të jetë një lajm i madh që do t’i gëzohen, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por të gjithë shqiptarët”, shtoi deputeti.
Protesta e sotme në Prishtinë kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale organizohet nga organizatat e dala nga lufta.