Pas vendimit të fundit të BQK-së, për shfrytëzimin e vetëm valutës euro për pagesa, ka pasur reagime të shumta, duke marrë parasysh edhe kohën e shkurtër të implementimit.

Rreth kësaj, ka reaguar edhe shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se duhet parë “një fotografi më e plotë” dhe nuk mund të kufizohemi vetëm në çështjen e dinarit, duke shtuar se me këtë vendim ka ndryshuar qasja me aleatët e SHBA-së.

“Nuk mund të kufizohemi thjeshtë në çështjen e dinarit në këtë rast, mendoj se duhet parë një fotografi më e plotë, sepse për herë të parë me këtë qeveri ka ndryshuar edhe qasja e koordinimit me aleatët tanë pra me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne edhe shtrirjen e sovranitetit në veri edhe integrimin e institucioneve, edhe mbajtjen e zgjedhje të rregullta, edhe zgjidhjen e kryetarëve të komunave legjitim nga qytetarët serb që ka ndodhur për herë të parë në 2017 e kemi bërë pikërisht në koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri më tutje shtoi se mendon që vendimi duhej të mirrej me një koordinim më të mirë me SHBA-të.

“Ajo që mendoj që duhej të ndodhte është thjeshtë një koordinim dhe një angazhim më i mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë proces”, shtoi ai.