4.2 C
New York
Tuesday, December 2, 2025

Buy now

Tahiri nga Sarajeva: Rajoni ka nevojë për lidership strategjik dhe vendime të guximshme drejt rrugës evropiane

- Advertisement -

Në tryezën e sotme të CIG Western Balkans, të mbajtur në Sarajevë me temën “Si ta bëjmë të funksionojë rruga e Bosnjë dhe Hercegovinës drejt BE-së”, Besnik Tahiri theksoi se ky moment kërkon më shumë lidership strategjik dhe më pak fokus në debate teknike që ngadalësojnë proceset e integrimit.

Tahiri u shpreh se Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe i gjithë rajoni duhet të vendosin përpara vizionin dhe orientimin strategjik, duke mbështetur reformat që sigurojnë stabilitet afatgjatë. “Përparimi drejt BE-së nuk është thjesht një proces teknik. Është një vendim politik, strategjik dhe afatgjatë, i cili kërkon përgjegjësi dhe angazhim real,” tha ai.

Ai theksoi se në rajon ekzistojnë dy të vërteta që nuk ndryshojnë: identitetet kombëtare do të mbeten dhe janë pjesë e pasurisë shoqërore, ndërsa identiteti i përbashkët shtetëror është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian. “Këto dy identitete nuk janë në konflikt. Ato bashkëjetojnë dhe duhet të shihen si forcë, jo si kundërvënie,” deklaroi Tahiri, duke rikujtuar se kompromiset e vitit 1995 hapën rrugën e paqes dhe zhvillimit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më gjerë.

Duke folur për nevojën e transformimeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Tahiri tha se çdo reformë politike apo kushtetuese – përfshirë edhe rishikimin e rolit të Përfaqësuesit të Lartë – është e mundur vetëm nëse ekziston një angazhim i sinqertë për integrim nga vetë Sarajevë dhe nga Brukseli. “Pa vendime strategjike dhe të guximshme, proceset do të mbeten të bllokuara,” nënvizoi ai.

Në vijim, Tahiri theksoi se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një qasje të re dhe më dinamike nga Bashkimi Evropian: “Të gjashtë vendet e rajonit duhet të lëvizin së bashku. Kjo nuk është vetëm ndihmë për rajonin tonë, por një investim strategjik në stabilitetin e vet Evropës.”

Në mbyllje të diskutimit, ai tha se paqja mbetet rruga e vetme e qëndrueshme dhe se mësimet e vitit 1995 nuk duhet të harrohen kurrë. “Paqja është e kushtueshme, por është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo zhvillim. Sot kemi nevojë për të njëjtën guxim dhe të njëjtat vendime strategjike për ta çuar rajonin përpara.”

 

Të ngjashme

Të fundit