Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Tahirit, Kushtetuesja foli qartë, duke thënë se vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.
‘’Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike.Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive’’ ka shkruar Tahiri.
Tutje, ai u shpreh se në cilësinë e deputetit, ka dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast dhe gjykata konfirmoi se sipas tij, rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike.
Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet”, shkroi ai.
“Gjykata konfirmoi se: Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë; E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues; Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik; Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit”.
“Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt. Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme”, tha ai