Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka dhënë detaje nga vizita e delegacionit të kësaj partie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku morën pjesë në Lutjet e Mëngjesit. Në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova, Tahiri tha se fokusi kryesor i takimeve ishte siguria dhe rikthimi i raporteve politike në nivelin më të lartë.
Sipas Tahirit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shfrytëzuar takimet në SHBA për të ripotencuar dy kërkesa jetike për vendin: Anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në NATO dhe ikthimin e fokusit të Departamentit të Shtetit si garantues i stabilitetit politik dhe proceseve integruese.
“Në State Department po ashtu ishte porosia e njëjtë, por aty ishte kryesisht kontekst politik, pra me e ndihmu Kosovën në aspektin politik, me e shty, me e ndërtu këtë marrëdhënie”, tha Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Fatkeqësisht ju e dini që partneriteti strategjik me Kosovën me këtë qeveri është anuluar dhe ky është një problem, dhe aty argumentuam në aspektin politik që Kosova ka nevojë për Departamentin e Shtetit, për prezencën, për një ambasador të ri e kështu me radhë”.
“Në Kongres kanë qenë, shumë takime kemi pasur në Kongres, shumicën prej tyre as i kemi postu në rrjetet sociale, po janë dy që po du me i nda, jo për arsye të fuqisë, por për shkak të funksioneve.
“I pari ishte me kryetarin e nënkomisionit për Evropë, kongresmenin Heath Self, i cili e përcjell në Kongres këtë temë dhe të njëjtën porosi e patëm edhe për kongresmenin Self, i cili po ashtu është republikan dhe ka marrëdhënie shumë të fuqishme me presidentin Trump, në mënyrë që edhe aspekti politik, pra Kongresi është Dhoma e Përfaqësuesve, dhe aty të adresohet”.






