Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë të rëndësishme për Aleancën, pasi për herë të parë partia po garon e vetme, pa asnjë koalicion parazgjedhor.
Tahiri tha se përvojat me koalicionet në të kaluarën kanë qenë të dyanshme: ato i kanë sjellë partidë vota, por njëkohësisht e kanë dëmtuar identitetin e AAK-së tek votuesit e saj.
“Kjo garë për Aleancën është bukur e rëndësishme, për shkak se është hera e parë që ne jemi në një garë pa koalicion. Ajo se çfarë kemi parë ne nga koalicionet është se aq sa na kanë sjell vota, fuqi elektorale po aq na kanë dëmtuar për shkak se neve votuesi ynë na do këta që jem”, tha ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ai theksoi se në këto rrethana nuk ka qenë e mundur të largohej nga partia apo të qëndronte jashtë kësaj gare.
“Nuk kam mundur të lë një shtëpi politike, një familje politike – veçanërisht kryetarin – në një garë kaq të rëndësishme.
Tahiri u shpreh i kënaqur me listën e kandidatëve të AAK-së, duke thënë se është hartuar në mënyrë të balancuar dhe përfaqëson profile të ndryshme.
“Ajo që ka ndodhur, dhe është befasi për të mirë, është lista. E kemi degëzuar në atë mënyrë që ka të gjitha predispozitat – çkado që të kërkosh, e gjen aty, prej bartësit të listës e deri te kandidati i fundit”.






