Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se situata në Kosovë është problematike, e komplikuar dhe e rrezikshme.
Ai ka deklaruar se ekonomia në vend është në rënie të vazhdueshme dhe, sipas tij, qytetarët nuk kanë para të gatshme.
I njëjti ka akuzuar Qeverinë në detyrë të Lëvizjes Vetëvendosje se u ka bllokuar qytetarëve të vendit 2 miliardë euro.
“Situata në vend mund të përmblidhet me dy apo tri konstatime: është një situatë mjaft problematike, pastaj shumë e rrezikshme dhe do të thoja edhe shumë e komplikuar. Pse është problematike? Sepse tani Kosova po operon për më shumë se një vit me një qeveri dhe kuvend jofunksional. I gjithë aparati i shtetit, që përbëhet nga një gamë e gjerë institucionesh, është në pritje të konstituimit të qeverisë për të mundur që të hyjë në funksion buxheti, i cili është i qytetarëve dhe duhet të shkojë te institucionet e, për rrjedhojë, ekonomia te jeta”, tha Tahiri në Klan Kosova.
“Është e rrezikshme. Fillimisht, po flas pak për ekonominë. Po e shoh se secili e merr atë daljen e lehtë, gjendja ekonomike në vend, për paranë, është momentalisht e bllokuar nga sistemi bankar, sepse nuk ka projekte të mëdha. Pra, është i bllokuar edhe suficiti i këtij mandati që është mbi 2 miliardë. Pra, 2 miliardë euro të qytetarëve që nuk kanë hyrë në punë. Për rrjedhojë, nuk ka cash, nuk ka ekonomi”, theksoi ai.
Tahiri pohoi se numrat që i përmend ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, për rritje të ekonomisë, janë vetëm pasojë e rritjes së çmimeve në vend.
“Pajtohem me ministrin në detyrë të Financave kur thotë se janë rritur numrat, por janë rritur, sepse janë rritur çmimet. Nëse një makiato ka qenë një euro, ajo është bërë një euro e gjysmë, dhe ajo rritje e çmimit e rrit numrin në hyrje të buxhetit, jo që është rritur ekonomia. Ekonomia ka rënë”, tha Tahiri.
Në fund, ish-deputeti theksoi se efektet e rënies së ekonomisë nuk shfaqen sot, por do të vijnë vitin e ardhshëm.






