Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka pyetur se pse partia në pushtet po hesht për mostrat e rastit Dehari, të cilat u gjetën javën e kaluar.
Në një postim në Facebook, deputeti i PDK-së ka shtruar edhe disa pyetje të tjera, lidhur me atë se kush i vodhi këto mostra, e ku qëndruan ato për një vit e gjysmë.
Tutje ai ka pyetur se a ka pasur ndërhyrje në mostra në kohën sa ato ishin jashtë Institutit, derisa tutje ka shkruar se kush i ka kthyer ato tani.
Tahiri thotë se nuk mund të fshihet e vërteta rreth tyre, dhe se nuk do të ndalen derisa të sqarohet gjithçka.
Çka është kjo heshtje në Vetëvendosje për mostrat e rastit Dehari? Kush i vodhi mostrat e rastit Dehari? Ku qëndruan ato për një vit e gjysmë? Për çka shërbyen ato mostra jashtë Institutit? A pati ndërhyrje në mostra në kohën sa ishin jashtë Institutit? Kush i ktheu ato? Pse nuk pranuat ta votoni komisionin hetimor parlamentar për zhdukjen e këtyre mostrave? Nuk mund të fshiheni nga e vërteta! Ne nuk do të ndalemi deri të sqarohet gjithçka!”, ka shkruar Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së edhe ditën e djeshme pati një konferencë për media lidhur me këtë çështje.
Ai kërkoi përgjigje nga Kurti, Haxhiu e Konjufca për humbjen dhe gjetjen e këtyre mostrave.
“Tahiri ka ftuar edhe Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprimet e menjëherëshme për të vënë para përgjegjësisë secilin zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre”, tha mes tjerash ai në konferencë.