Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i FFK-së ka marrë sot vendimin për incidentin e rëndë të trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, i cili pas ndeshjes Gjilani–Llapi kishte fyer, ofenduar dhe madje edhe kapur për fyti gjyqtarin kryesor, Egzon Dakaj.
Pavarësisht ngjarjes së rëndë, Batatina është dënuar vetëm me gjobë prej 2,000 eurosh, vendim që ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv.
Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes, incidenti nisi menjëherë pas përfundimit të takimit, kur Batatina, me tone të larta dhe agresive, kundërshtoi vendimin për kartonin e kuq, duke tentuar t’i afrohej gjyqtarit.Situata u qetësua vetëm falë ndërhyrjes së policisë.Por tensioni nuk përfundoi aty.
Pas arritjes në Prishtinë, në parkingun e “Viva Fresh” në Veternik, trajneri i Llapit e bllokoi veturën e gjyqtarit Dakaj, duke kërkuar sqarime dhe duke e kapur për fyti – një situatë që eskaloi sërish dhe u ndalua vetëm falë ndërhyrjes së delegatit të ndeshjes.
Për këto veprime, Komisioni Disiplinor ka aplikuar nenin 6 paragrafi 1 pika C dhe nenin 14 paragrafi 1 pika 1 dhe paragrafi 2 pika C të Rregullores Disiplinore të FFK-së, duke shqiptuar gjobën prej 2 mijë eurosh dhe një afat 15-ditor për pagesën.
Vendimi ka ngjallur debat të madh në publik, duke u konsideruar i butë për një incident që përfshin fyerje, kërcënim dhe agresion fizik ndaj një gjyqtari — një prej shkeljeve më të rënda në futboll.Batatina nuk ka reaguar ende pas vendimit të FFK-së.






