Deputetja PD-së, Jorida Tabaku, e cila është edhe kryetare e komisionit parlamentar për çështje evropiane në Kuvendin e Shqipërisë, ka folur për prezantimin e një rezolute së bashku me deputetin gjerman, Knut Abraham, në Këshillin e Evropës.
“Ne e nisëm këtë iniciativë më një përpjekje të një diplomacia parlamentare sepse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës është tamam forumi ku këto çështje duhen diskutuar. Prezantimi i kësaj rezolute u konkludua me dorëzimin e saj me 38 firma. Unë dua të njoftoj që mbi tetë shtete të ndryshme dhe 38 anëtarë të Asamblesë e kanë mbështeturat. Përveç diskutimit të ditës së hënë që ishte një diskutim urgjent që u prezantua në agjendë, ajo do i hap rrugën një procedure parlamentare që ne shpresojmë do të përfundojë me një hetim të plotë nga Asambleja Parlamentare që sigurisht do t’i japë më shumë besueshmëri këtij raporti”, tha Tabaku për RTK-në.
Ajo ka theksuar se rezoluta ka tri kërkesa kryesore.
“Kemi kërkuar që anëtarët e Asamblesë ta dënojnë sulmin e 24 shtatorit , tentativën e Serbisë për cenimin territorial të Kosovës. Së dyti kemi kërkuar që Serbia të tërhiqet nga të gjitha këto akte destabilizuese, dhe së treti kemi kërkuar një hetim ndërkombëtar për këtë çështje”, ka deklaruar Tabaku.
Sipas saj, Shqipëria dhe kushdo që ka një pozicion, në këtë rast anëtarë të komisioneve të përbashkëta me Parlamentin Evropian, me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, apo në çdo platformë tjetër duhet që patjetër të bëhen zë për Kosovën aty ku ajo nuk ka mundësi.
“Çështja e Kosovës dhe realizimi i qëllimit final që ka ajo, që është sigurisht njohja e ndërsjellët me Serbinë, por edhe liberalizimi i vizave, procesi i integrimit, si dhe anëtarësimi në NATO të vazhdojnë dhe të mos mbetën pjesë e asnjë skenari të organizuar për të destabilizuar rajonin, në këtë rast nga Serbia dhe i asnjë skenari që përpiqet t’i largohet kësaj rruge, që Kosova duhet ta ketë të shenjtë”, theksoi Tabaku.
Deputetja Tabaku ka folur edhe për përpjekjet e grupit parlamentar që edhe Kuvendi i Shqipërisë të nxjerrë një rezolutë me të cilën do të dënohej akti i agresionit ndaj Kosovës dy javë më parë.