Lulzim Begaj, multimilioneri dhe pronari i kompanisë “Kosmonte Foods”, njëherazi oligark i lidhur me kryeministrin Albin Kurti, ka kërcënuar gazetarët pas një vizite të fundit që ata bënë në tokat e dhëna nga Qeveria Kurti për shfrytëzim.

Gazetarët kishin shkuar për të dokumentuar se deri ku kanë shkuar punimet në sipërfaqen prej 25 hektarësh, të cilat i janë dhënë Begajt për 99 vite për të zhvilluar investime që do të hapin 300 vende pune.

Por kjo vizitë e gazetarëve nuk u pritë aspak mirë nga Begaj. Ai i kërcënoi e ofendoi gazetarët.

“Sa serbët s’punojnë çka po bani ju gazetarët, veç po du me të tregu, të pash tu incizu. So pronë e jotja, është parking i firmës. Ti ki drejt me ardh me pyet zotni ulem edhe folim. Ajo cika o tu fol mrena, ti incizove jashtë”, dëgjohet duke i thënë ai kamermanit të Klan Kosovës.

Multimilioneri shprehet tejet i nervozuar, duke thënë se janë lodhur nga këto vizita.

“Unë ta incizova fytyrën tone (drejtuar kamermanit), e ti tash merri qiti incizimet. Mati punët e tua…Kush je ti që vjen me incizu… mos u boni sikur hajna, se jena lodh prej juve. Jena lodh. Kam punë me ty unë, e ta kqyrim. Kjo është pronë e jemja, këtu jam zot unë nuk je ti. Se jena lodh bre jena lodh, mos ia q’ nanë 24 orë në punë, ju vini luni k*** me neve, mos ja q* nanën – i ki punët e tua, so punë e jotja kjo… e jo turlifarë kastraveci këtu kamerën në dorën vjen kishe po incizoi. Jena merzit prej kësaj punë”, thotë oligarku i Kurtit.

 

@klankosovaofficial“Perutnina Ptuj” me oligark te dyshimtë, Kurti ia dha 25 hektar pronarit Begaj♬ original sound – Klan Kosova 

Rozeta Hajdari në fund të vitit 2023 kishte nënshkruar një kontratë me “Kosmonte Foods”, kompani që Qeveria Kurti e shpalli investitor strategjik.

Edhe pse ligji dhe kontrata vetë kërkonin që të nënshkruhej një garanci bankare para se të bëhej nënshkrimi, Insajderi ka zbuluar se Hajdari u angazhua në marrëdhënie me multimilionerin Lulzim Begaj pa këtë dokument.

Kjo i dha mundësinë Begajt të merrte nën kontroll për 99 vite 25 hektarë tokë shtetërore.

Por sigurisht, favori kthehet me favor, pasi në kohën kur Kurti po përpiqej të vinte në pushtet, bashkëshortja e biznesmenit, Rabie Simnica, dha 1000 mijë euro për Vetëvendosjen, duke e mbështetur atë.

Në prill të vitit 2020, Albin Kurti, kryeministëri, kishte vizituar kompaninë e multimilionerit nga Malisheva, Lulzim Begaj – “Kosmonte Foods”. Takime mes Kurtit dhe Begajt pati edhe më vonë.

Por, pati edhe diçka më shumë.

“Kosmonte Foods” është shpallur nga Qeveria e dytë e Albin Kurtit si investitor strategjik, duke përfituar kështu 25 hektarë tokë shtetërore për 99 vite, për një investim që në letra thuhet se do të jetë mbi 11 milionë euro.

Në fund të vitit të kaluar ishte nënshkruar edhe dokumenti që ia mundësonte multimilionerit Begaj që të shtinte në dorë këtë tokë shtetërore. E bëri Ministrja Rozeta Hajdari.

Nga jashtë dukej gjithçka në rregull, por Insajderi ka zbuluar se në këtë proces dyshohet se është shkelur Ligji që rregullon fushën e investimeve strategjike. Madje, edhe vetë marrëveshja e bërë në bazë të këtij ligji me kompaninë “Kosmonte Foods”.

Garancioni bankar nuk ishte pranuar fare në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), siç kërkohej me ligj dhe marrëveshje. Kërkohej që të sillte garancion për 10 përqind të vlerës së projektit, që në këtë rast i bie mbi 1 milionë euro garancion.

Sidoqoftë, projekti që iu besua Begajt nga Qeveria Kurti e ku pretendohej të punësoheshin mbi 300 punëtorë është ende në fazën e ndërtimit, edhe pas tre vjetësh.