23.5 C
New York
Saturday, July 12, 2025

Buy now

Szunyog për masat e BE-së: Të punojmë për t’i kthyer mbrapsht këto masa

- Advertisement -

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një takim me Komisionin për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës.

Szunyog pas takimit tha se i ka kërkuar deputetëve që të punojnë bashkë për tërheqjen e masave të vendosura nga BE-ja.

Ai tha se ka parë gatishmëri nga deputetët për ta përmirësuar gjendjen në veri.

“Kishim një diskutim të mirë për situatën në vend dhe marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe BE-së. Çështja kryesore ishte se unë ndava pikëpamjen tonë për gjendjen në veri por edhe për marrëdhëniet tona. Siç kuptova unë, të gjithë anëtarët e Komisionit, janë të gatshëm të punojnë për zgjidhjen e situatës së tanishme dhe krizës që është krijuar. Ua shpjegova pozicionimin tonë dhe masat. U kërkova që të punojmë për t’i kthyer mbrapsht këto masa dhe t’i kthehemi ‘biznesit’, si më parë”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e këtij Komisioni, Rrezarta Krasniqi, tha se ambasadori i ka njoftuar për masat që janë ndërmarrë nga BE-ja.

Sipas saj, ndër masat janë: Pezullimi i fondeve të BE-së dhe pezullimi i Kosovës nga MSA-ja.

“Pas datës 30 qershor që janë ngrit sanksionet ndaj Kosovës, kam ftuar ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe ai vetëm i tregoi ato masa të cilat janë ndërmarrë nga BE-ja për Kosovën, pra është pezullimi i Kosovës nga MSA-ja, pezullimi i fondeve të BE-së dhe pezullimi i takimeve bilaterale dhe takimeve tjera të larta. Shqetësimi im është se nuk po kemi informata, pra është dashur që ta ftojmë ambasadorin lidhur me këto masa të cilat i kanë marrë Bashkimi Evropian sepse nuk kemi pas informacione të hollësishme por vetëm si lajm sepse Qeveria e ka mbajt të fshehur atë që është dërguar 22 qershor, ndërsa sot ambasadori na tregoi për masat që janë ndërmarrë”, u shpreh ajo./EO/

Të ngjashme

Të fundit