Serbia duhet t’u kthejë qytetarëve të Kosovës mjetet e ndara për pagesën e rrymës në veri, thotë Emin Sallahu, banor në Prishtinë.
“Kthimi i tyre duhet të obligohet nga shteti i Serbisë. Kthimi mund të bëhet në bazë të një marrëveshjeje me këste, sepse forma e pagesës ka qenë diskriminuese”, thotë ai.
“Të kthehen [paratë] gjithsesi”, thotë edhe Sejdi Krapi, ish-punonjës në kompleksin metalurgjik “Ferronikeli”.
Qe nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qytetarët e veriut janë furnizuar rregullisht me energji elektrike, por nuk e kanë paguar atë.
Kjo ka ndodhur për shkak të refuzimit të strukturave të ndryshme të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që kanë operuar në atë pjesë, por edhe për shkak të mosbindjes qytetare.
Rrjedhimisht, për rrymën e shpenzuar në veri, qytetarët e komunave të tjera të Kosovës kanë paguar direkt nga xhepi i tyre nga viti 1999 deri më 2017.
Gjatë kësaj periudhe, faturat e tyre kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.
Nga 2017-ta, kjo përgjegjësi e pagesës ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Më 21 qershor, ndërkaq, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje për energjetikën, të arritur qysh në vitin 2013, që i hap rrugë pagesës së rrymës direkt nga shpenzuesit në veri.
Muhamet Mustafa, profesor i shkencave ekonomike në Prishtinë, thotë se çështja e pagesave të faturave në veri nga qytetarët e viseve të tjera ka mbetur e paprecizuar në marrëveshjen e fundit, por “patjetër që duhet të zgjidhet jashtë saj”.
Mustafa konsideron se Serbia është fajtore direkte për mospagesën e rrymës nga konsumatorët në veri, sepse, siç thotë, ajo ka manipuluar me qytetarët në atë pjesë.
“Qeveria e Serbisë apo donatorët duhet ta marrin përsipër këtë borxh. Në rast se ka vështirësi, duhet të gjenden forma që ky borxh të mbulohet edhe nga institucionet ndërkombëtare”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Fatura e përgjithshme e konsumatorëve në veri ka shkuar deri në 12 milionë euro në vit.
Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, nuk beson se do të bëhet kompensimi i mjeteve – as nga shteti i Serbisë, as nga institucionet e Kosovës.
“Në qoftë se kërkohet nga Serbia, pranohet se kjo pjesë [veriu i Kosovës] është Serbi. Serbia nuk kthen borxhe për konsumatorët e shtetit tënd”, thotë Ismaili.
Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, zyra për informim e Qeverisë së Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se si do të rregullohet çështja e kompensimit të këtyre mjeteve.
Të njëjtën pyetje, REL e ka dërguar edhe te kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, por nuk ka marrë përgjigje.
Si ka ardhur deri te ngarkesa e qytetarëve me faturat e veriut?
Vendimin për pagesën e rrymës në veri nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës e ka marrë Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE).
Pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur në vitin 2017 që kjo praktikë të pezullohet, duke thënë se është joligjore.
Në vitin 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, në bazë të një padie të ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, e ka detyruar ZRRE-në që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove të qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën 2012-2017 – kur edhe ka pasur ankesa – kanë paguar rrymën e konsumatorëve në veri.
Kush e ka furnizuar veriun me rrymë?
Nga përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë vazhdimisht ka pasur deklarata kundërthënëse se kush e furnizon veriun me rrymë.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) ka thënë se furnizimi është bërë nga operatorët e licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës, por, sipas zyrtarëve serbë, rryma në veri ka arritur nga Elektro-rrjeti i Serbisë.
Me marrëveshjen e vitit 2013 për energjinë, parashihet licencimi i kompanisë “Elektrosever”, e cila është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar sipas ligjeve të Kosovës.
Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.
Besnik Bislimi ka deklaruar më 21 qershor se “Elektroseveri” nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.
“Elektroseveri”, rrjedhimisht, mund të marrë apo blejë rrymë edhe nga kompania serbe, EPS.
Vendimin për licencimin e “Elektroseverit”, ZRRE-ja pritet ta marrë këtë të premte.
Në anketat që ka realizuar Radio Evropa e Lirë në veri, disa qytetarë serbë kanë thënë se do të paguajnë për rrymën e shpenzuar; disa shqiptarë, në anën tjetër, kanë thënë se do të paguajnë vetëm nëse paratë u shkojnë institucioneve të Kosovës.