Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan së fundmi inauguroi një nëndetëse të re të ushtrisë së Turqisë.
Së bashku me një helikopterë-mbajtëse, fregata të reja dhe mbi dhjetëra luftanije të tjera në ndërtim e sipër, kjo është pjesë e përpjekjes së Erdoganit për ta bërë marinën turke ndër më të mëdhatë në Evropë.
“Kjo i shërben agjendës politike të Erdoganit për të ushtruar ndikim jashtë shtetit nga Katari në Somali e deri në Libi, në mënyrë që t’i përshtatet vizionit të tij. Për marinën, kjo do të thotë një rol më të madh në mbrojtjen e vendit, jo vetëm mbrojtjen territoriale, por mbrojtjen e interesave jashtë vendit”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadir Has, Serhat Guvenc.
Turqia ka baza ushtarake në Katar, Libi dhe Somali, me të cilat ka nënshkruar marrëveshje detare.
Ankaraja thotë se zgjerimi i pranisë së saj detare është pjesë e trajtimit të kërcënimeve rajonale në rritje dhe ndihmës në përmbushjen e angazhimeve të saj në NATO.
“Të gjitha qendrat e konfliktit janë përreth Turqisë, në Detin e Zi, në Mesdhe dhe në Detin e Kuq. Kështu që modernizimi i tanishëm turk është i dobishëm për NATO-n dhe sigurinë e aleatëve perëndimorë. Kjo gjithashtu rrit sigurinë e naftës dhe lirinë e lundrimit”, thotë këshilltari presidencial Mesut Casin.
Por fuqia detare në rritje e Turqisë po shkakton shqetësim tek fqinji i saj, Greqia, e cila ka një sërë mosmarrëveshjesh territoriale me Ankaranë në Detin Egje dhe Detin Mesdhe.