Gazetari dhe analisti Valon Syla ka reaguar ndaj qëndrimeve të fundit të disa analistëve të VV-së, të cilët po i kundërshtojnë koalicionet e LDK-së me PDK-në.
Sipas tij, Kurti po përpiqet ta plaçkitë LDK-në nga historia dhe simbolet e saj.
“Sa shumë po vajtojnë analistët e VV-së për LDK-në, por në esencë, Albin Kurti me ta vetëm dëshiron ta plaçkitë LDK-në nga simbolet, historia dhe votat e saj… madje ia vodhi edhe flamurin – vulën e Dardanisë së Rugovës, që sot e mban në tubimet e veta,” ka shkruar Syla.
Tutje ai ka shtuar se, ndryshe nga Vetëvendosje, PDK nuk e cenon elektoratin apo historinë e LDK-së, pasi, sipas tij, këto dy parti kanë bashkëpunuar në proceset kyçe shtetformuese.
“Por PDK nuk i merr vota LDK-së dhe as nuk e plaçkit nga historia e të bëmet e veta, sepse ishin bashkë në çdo sukses, prej Rambujesë e deri te Pavarësia e ndërtimi i Kosovës. E vetmja gjë që mund t’i pengojë PDK-ja LDK-së janë ish-anëtarët si VVjosa, Bulliqi, Peci e Gërvalla, të cilët kanë kaluar në VV prej kohësh, dhe askush më nuk dëshiron që ata të kthehen pas tradhtisë së madhe që ia bënë rugovizmit dhe LDK-së,” ka shkruar ndër të tjera ai.
Syla ka theksuar se rugovizmi është pro-amerikan, pro-NATO dhe perëndimor, duke akuzuar Kurtin për qëndrime antiamerikane e anti-NATO.
“Rugovistë me komunistë nuk ka. Vetëm ata që kanë gënjyer gjithmonë se janë. Rugovizmi është pro-Amerikë, pro-NATO dhe antimarksist… perëndimor dhe jo lindor, ideologjikisht në esencë. E kundër kësaj bote me tipare lindore, antiamerikane dhe anti-NATO, prej shqiptarëve më i madhi është Albin Kurti. Prandaj edhe kemi sanksione nga SHBA dhe BE për qeverinë e tij,” ka përfunduar ai.






