Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është domosdoshmëri.
Ai ka thënë anëtarësimi në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, do të ishte realizim i të gjitha punëve që janë bërë për një shtet stabil e të sigurt.
“Është synim objektiv që të jemi në NATO, sepse vetëm aty realizojmë objektivin tonë për të gjitha ato punë që kemi bërë deri më sot, që të jemi një shtet stabil, i sigurt, jo vetëm konsumues të sigurisë por edhe ta ofrojmë atë sepse e kemi dëshmuar në shumë operacione tona. Do të ishte një arritje historike jo vetëm për neve, por edhe për NATO-n, si një objektiv që e ka pas që ta krijojë një shtet stabil, një forcë që do të ishte pozitive për të krijuar vlera të paqes jo të tensioneve”, ka thënë Syla në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se FSK aktualisht në disa objektiva është në fazën e fundit të transformimit, kur kanë mbetur edhe dy vjet që të përmbyllet ky proces
“Jemi në fazën e tretë në të cilin kemi përmbushur dhe tejkaluar objektiva që kemi pasur. Për shumë cka jemi në fazën e fundit me pajisje, personel, shkollim, trajnim”, ka thënë Syla.






