Sydney Sweeney ka reaguar ashpër ndaj thashethemeve se ka bërë ndërhyrje kozmetike.
Në një intervistë për Allure, 27-vjeçarja u shpreh se nuk ka kryer kurrë as operacione plastike, as mbushës fytyre.
“Nuk kam bërë asnjë ndërhyrje. Kam shumë frikë nga gjilpërat”, tha aktorja, duke shtuar se ndryshimet në pamje janë thjesht rezultat i rritjes, grimit dhe ndriçimit profesional. “Mos më krahasoni kur isha 12 vjeçe me pamjen time sot. Sigurisht që do të dukem ndryshe”.

Sweeney zbuloi se një dëmtim i vjetër pranë syrit të majtë që kërkoi 19 qepje pas një aksidenti me wakeboarding e ka bërë qepallën e saj paksa të pabarabartë, gjë që shpesh ngre dyshime të pabazuara për ndërhyrje estetike, shkruan DailyMail.
Deklaratat vijnë pak pasi ajo u përfshi në një debat online për fushatën e American Eagle. Aktorja theksoi se është “kundër çdo lloj urrejtjeje dhe përçarjeje”, duke mohuar çdo lidhje me interpretimet negative të reklamës.

Ndërkohë, Sweeney vazhdon ritmin e ngjeshur të karrierës. Ajo po promovon filmin e ri “The Housemaid”, që del në kinema më 19 dhjetor, dhe pritet të rikthehet si Cassie në sezonin e tretë të Euphoria, premierë pranverën e ardhshme në HBO.
Në horizont ka edhe disa projekte të reja filmike, përfshirë “Scandalous!” dhe role të tjera në zhvillim.
Në botën e modës dhe partneriteteve, Sweeney mbetet një nga influencueset më të kërkuara, me bashkëpunime të shumta nga Jimmy Choo deri te Samsung. /Telegrafi/








