Gjatë ditës së djeshme, është zhvilluar samiti i Bashkimit Evropian ku morën pjesë edhe liderët e Ballkanit Perëndimor, samit në të cilin edhe pse pritej dhe shpresohej, prapë se prapë liberalizimi i vizave për Kosovën dështoi të ndodhë apo të jepen sinjale pozitive për të.
Pas kësaj, figura të ndryshme politike por edhe njohës të brendshëm dhe të jashtëm të politikës, dhanë versionet e tyre se kush është fajtori që Kosova nuk mori liberalizimin e vizave, shkruan lajmi.net.
Një ndër ta, është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Viola Von Cramon, e cila dje, deklaroi se është ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, ai që është shkaktar që Franca nuk aprovon heqjen e vizave për Kosovën.
Por, para një viti më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një vizite që kishte në Francë, njoftonte se, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, është takuar pikërisht me atë që Von Cramon sot e sheh si shkaktar të mosliberalizimit të vizave për Kosovës, pra me homologun e tij, Gerlad Darmanin.
Përmes një postimi në Twitter, Kurti, thoshte se ai shpreson që kjo vizitë dhe ky takim mes Sveçles dhe Darmanin, do të ndihmojë në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Në Palais de l’Élysée sot, u takova me Presidentin e Francës EmmanuelMacron Ishte një takim miqësor dhe thelbësor ku diskutuam për marrëdhëniet mes dy republikave tona, zhvillimet në rajonin e BB6, integrimin në BE dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministri im i Brendshëm Xhelal Sveçla është takuar më parë me homologun e tij francez Gerald Darmanin. Shpresojmë që kjo vizitë të ndihmojë në heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, njoftonte Kurti në Twitter
Megjithatë, pavarësisht takimit të tyre dhe shpresave të Kurtit, duket sikur ky takim nuk ka dhënë rezultate, meqë Kosova vazhdon të mos e ketë përkrahjen e Francës për çështjen e vizave.
Përveç Francës, është edhe Holanda ajo që nuk e mbështet heqjen e vizave për Kosovën. Ku, rreth kësaj çështje, kryeministri holandez dje, deklaroi se Holanda i thotë “Jo” heqjes se vizave për Kosovën, pasi që kjo e fundit duhet të bëj akoma më shumë progres.