Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas vizitës së tij në veri të vendit, ka theksuar se Qeveria do të vazhdojë të punojë për sigurinë e vendit në çdo cep të tij.
“Si Qeveri do të vazhdojmë që me të gjitha kapacitetet tona të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Po punojmë pa u ndalur për mirëqenie të qytetarëve tanë, për shërbime efikase ndaj tyre, për sigurinë e tyre e për sigurinë e vendit tonë në çdo cep të tij”, ka thënë Sveçla.
Në një postim në Facebook, teksa ka shprehur vlerësimin e tij për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, ministri Sveçla ka bërë thirrje për drejtësi në rastin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë Afrim Bunjaku, dhe përparim në hetimet për sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Në vijim të vizitës në veriun e vendit tonë ishim edhe në Banjskë të Zveçanit, në vendin e rënies së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku. Drejtësia për vrasjen e tij dhe për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit është e pashmangshme dhe duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë. Takuam edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikë kontrollin në Bistricë, të cilët ofrojnë siguri për atë zonë”, ka shkruar Sveçla.
“Nëse nuk do të vritej nga bandat kriminale në 26 korrikun e vitit 2011, pjesëtari i Policisë së Kosovës Enver Zymeri sot do të mbushte 45 vjeç. Si gjithë kolegët e tij në Policinë e Kosovës, jam i bindur se edhe ai me përkushtim do të ishte në nivelin më të lartë të detyrës. Në nderim të jetës dhe sakrificës së tij, bashkë me Kryeministrin Albin Kurti, me djalin e Enver Zymerit Sokolin, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, Ministrin Elbert Krasniqi dhe Zëvëndësdrejtorin e Policisë Fehmi Hoti, sot zbuluam pllakën përkujtimore në vendin e rënies së Hero Enver Zymerit, në fshatin Zupç të Zubin Potokut. Emri tij nga sot është përjetësuar edhe në vendin e rënies së tij siç është përjetësuar në historinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar më tej ai.
Ai gjithashtu ka shprehur falënderim për pjesëtarët e policisë që janë në pikë kontrollin në Bistricë për punën e tyre në sigurimin e zonës
Sveçla dhe një delegacion i përbashkët, përfshirë kryeministrin Kurti dhe ministrin Krasniqi, kanë vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku kanë takuar zyrtarët e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve dhe ata të Qendrës së Pajisjes me Dokumente, duke vazhduar pastaj me inspektimin e projektit të rindërtimit të shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Gjatë vizitës në Mitrovicë, ata kanë diskutuar për angazhimet e komunës me kryetarin Erden Atiq, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për të shërbyer të gjithë qytetarët pa dallim.