Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla ka konfirmuar arrestimin e Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, pas një fjalimi të mbajtur në Rahovec ku fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sveçla në një shkrim në Facebook, ka thënë se ai është dërguar në stacionin në Mitrovicën e Veriut dhe se do të merren masat e nevojshme”.
“Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Serbi, ka mbajtur sot një fjalim në Rahovec. Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore.
Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë” – ka shkruar ai.
Tutje, Sveçla ka thënë se nuk do të tolerohen fyerje ndaj luftës së UÇK-së.
“Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare.
Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare” – ka shkruar ai.