Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës përgjatë kontrollit në pikën kufitare në Jarinje ka ndaluar një zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të cilit iu janë konfiskuar katër mijë fishekë.
Sveçla një gjë të tillë e ka njoftuar me anë të ‘Facebook’-ut të tij, duke përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e tyre.
“4 mijë fishekë i konfiskuam. Pra, edhe një aksion tjetër shumë i suksesshëm e i rëndësishëm për forcimin e sovranitetit të vendit tonë. Në pikën kufitare në Jarinje, Policia e Republikës së Kosovës ndaloi një të dyshuar me shtetësi serbe, punëtor i integruar nga strukturat paralele në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës. I dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Sveçla.
Ministri i MPB-së së fundmi ka realizuar vizitë nëpër pikat kufitare Jarinje e Bërnjak bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitë kjo e cila u prit keq nga Lista Serbe.
Këta të fundit pyesnin se kush iu kishte dhënë leje Sveçlës e Mehajt të futen në, siç e quajtën ata, ambiente serbe.